Transmetuar më 01-04-2014, 19:01

Gjermani, 1 prill  2014, NOA.al- Kryeministri Rama u takua sot në Berlin me Presidentin e Bundestagut gjerman, Norbert Lammert.

Presidenti i Bundestagut, duke i uruar suksese qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama në punën e nisur, vlerësoi progresin e arritur së fundmi nga qeveria shqiptare, nëpërmjet reformave të ndërmarra, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të cilat e afrojnë edhe më tepër Shqipërinë me familjen e madhe evropiane.  Zoti Lammert u shpreh se Shqipëria i përket BE, dhe siguroi për mbështetjen e Gjermanisë në procesin e integrimit europian të vendit.

Kryeministri Rama, duke e vlerësuar Gjermaninë si një partner kyç të Shqipërisë i shprehu zotit Lammert falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e rëndësishme që Gjermania  i ka dhënë Shqipërisë në procesin  e integrimit, – duke theksuar mes të tjerave, vullnetin e palëkundur dhe angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të përmbushur me sukses këtë proces të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kryeministri Rama e njohu zotin Lammert me arritjet e qeverisë shqiptare në disa prej fushave kryesore të zhvillimit të vendit dhe theksoi se qëllimi madhor i kësaj qeverisje është modernizimi i Shqipërisë.

Gjatë takimit të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve, Gjermanisë dhe Shqipërisë dhe shprehën vullnetin e përbashkët për forcimin e urave të bashkëpunimit në të ardhmen, në fusha me interes të ndërsjellë. Noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit