Transmetuar më 01-04-2014, 17:41

Tiranë, 1 prill  2014, NOA.al- Në kuadër të muajit të Ndërgjegjësimit për Autizmin, Fondacioni Fëmijët Shqiptarë sjell në shqip librin me titull: “Si t’ua mësosh aftësitë për trajtimin e gjërave në perspektivë fëmijëve më çrregullime të spektrit të Autizmit”

Ky libër është i 3-ti për Autizmin i sjellë në gjuhën shqipe nga Fondacioni Fëmijët Shqiptare. Libri është    një udhëzues i përgjithshëm për këdo që trajton të prekurit nga çrregullimi i spektrit autik.

Ai u vjen në ndihmë profesionistëve për të gjitha fazat, si: në diagnostikimin, në vlerësimin dhe në trajnim e këtij çrregullimi. Ai u mëson terapistëve si të ndërtojnë sesionet e terapisë mbi aplikimin e analizës së sjelljes duke ju dhënë kështu leksionet e duhura për hapa të sigurta në profesionin e tyre.

Dr.Liri Berisha tha: "Ky libër shërben si një manual përdorimi duke ofruar udhëzime konkrete për fëmijët me çrregullime të spektrit autik, si dhe  përfshin programe mësimore hap-pas-hapi me udhëzime specifike për të mësuar aftësitë ndërvepruese, përfshirë aftësitë bazë. Jep sugjerime për përgjithësimin e aftësive të fituara në shtëpi, komunitet dhe në klasa.  Gjithashtu libri përfshin ilustrime për të lehtësuar kuptimin e skenarëve mësimore.”

Me këtë libër mbyllet cikli i parë i botimeve (trio) ku prindërit, mësuesit dhe terapistët kanë në duar tekstet bazë, tre punime prestigjioze të literaturës së sotme në vendin tonë.

Profesor  Edmond Tupe , prind i një fëmije me autizëm dhe redaktues i librit tha se ky libër është një mesazh i qartë që mes prindërve dhe terapistëve duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë. Profesor  Tupe tha: “ky libër është një libër që nuk lexohet si roman,është një libër i thjeshtë, i nditshëm. Mjafton të lexohet me vëmendje dhe kuptohet lehtë. Ky libër duhet të vendoset në dispozicion edhe të prindërve pasi është i nevojshëm. Përveç kësaj , do të thoja që i jemi borxhli znj.Berisha”.

Ky libër është i vlefshëm për edukues, psikologë, logopedë, këshillues shkollash dhe prindër, te cilët mund të përdorin udhëzuesit mësimore të këtij manuali për të ndihmuar fëmijët me çrregullime të spektrit autik të përfitojnë aftësi ndërvepruese që janë shumë të rëndësishme për kompetencën sociale.

Libri ka për  autore Lynn Brenan nga USA e cila është cilësuar një terapiste e shkelqyer në zbatimin dhe aplikimin e terapisë ABA. Ajo është edhe tranuesja e terapisteve të Qendrës Rajonale për Autizmin në Farkë, të cilët u shndërruan në shtyllën e misionit të Fondacionit për gjenerimin e modelit të konsoliduar shkencor edhe më gjerë. Të pranishëm në këtë promovim ishin prindër , terapistë , mjekë, si dhe zv/min e  Arsimit Zj.Nora Malaj.

Libri do të shpërndahet falas për të gjithë terapistët e interesuarit. Noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit