Transmetuar më 01-04-2014, 17:05

Tiranë, 1 prill  2014, NOA.al- Kryetari i Partisë së Punës së Riorganizuar Marko Dajti  kundërshton me forcë iniciativën e ndërmarrë nga Ministria e Energjitikës për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët si dhe paketën e masave shtrënguese të planifikuar nga Këshilli i Ministrave për garantimin e pagesës.

Në një deklaratë për mediat, kjo parti shprehet se, e konsideroni skandaloze futjen në Kodin Penal të nenit të posaçëm për ata që nuk paguajnë energjinë, pasi kjo nuk garanton ndëshkimin e abuzuesve, por kërcënon me mbijetesë shtresat më të varfra të popullsisë.

“Kryeministri aktual duhet ta ketë të qartë se nuk ka asnjë shans ta fitojë një betejë kundër afro 70 përqind të popullsisë që eshtë në limitet e varfërisë, por në këtë mënyrë i shkurton ditët qeverisë që ai drejton. Nëse do t’i hedhë lakun në qafë kësaj mase njerëzish që me zi arrijnë të sigurojnë bukën e gojës, qeveria do të ndezë një zjarr që nuk do të arrijë dot ta shuajë pa mbërritur në dyert e Parlamentit dhe Kryeministrisë. Revolucionet kanë fshirë nga faqja e dheut edhe dinasti mbretërore qindravjeçare e jo më një qeveri që zbythet sa herë i kërcëllin dhëmbët. As ish-anëtari dhe tradhtari i Partisë së Punës, shoku Sali Berisha, megjithëse i shitur te kapitali vendas dhe i huaj, nuk i ka dënuar masat popullore me kërcënimin e urisë dhe errësirës, me bukën e fëmijëve”, thuhet në deklaratën PPR.

Gjithashtu, PPR i kërkon Kryeministrit dhe ministrit të linjës të tërhiqet nga një akt i tillë agresioni ndaj shtresave më të prekura të popullsisë. “Ne i sugjerojmë qeverisë të marrë në konsideratë programin e PPR për këtë çështje, program i cili lufton varfërinë por edhe garanton ekzistencën e shtetit. Sipas këtij programi, popullsia duhet të ndahet në kategori, sikurse është e ndarë edhe në pagimin e taksave. Në këtë mënyrë, zona e tretë do të paguajë vetëm koston e mirëmbajtjes së rrjetit. Në këtë zonë duhet të përfshihen zonat e thella që nuk kanë asnjë mundësi mbijetese. Në zonën e dytë, që do të paguajë çmimin sipas kostos, përfshihen banorët e qyteteve larg nga kryeqyteti dhe që nuk kanë as turizëm dhe as industri si dhe zona fshatare pranë qyteteve. Ndërsa në zonën e parë duhet të hyjnë qytetet e mëdha dhe zonat industriale e turistike, të cilët do të paguajnë natyrisht një çmim në të cilin përfshihet edhe fitimi i shtetit. Kjo skemë e diferencuar do të ishte mënyra më e mirë edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët për të paguar, pa i kërcënuar me burgim dhe errësirë. Të mos harrojmë se në kohën e Enver Hoxhës qytetarët shqiptarë paguanin vetëm koston e prodhimit”, shprehet PPR.

PPR i drejtohet me një thirrje të  veçantë edhe deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë: Pasi Edi Rama ua futi në punë gratë, motrat, vajzat, djemtë, vëllezërit,kushërinjtë, të mendojnë një ditë të vetme edhe për ato nëna që nuk  kanë t’u japin bukë të hanë fëmijëve të vet. Noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit