
Berlin, 1 prill 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama në përfundim të takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel në kuadër të vizitës së tij në Berlin, u ndal në një konferencë të përbashkët.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Merkel tha se po ndiqet me vëmendje ecuria e reformave në Shqipëri, duke theksuar se Komisioni Europian i ndjek me interes këto çështje dhe do të paraqesë një raport në muajin qershor lidhur me statusin e vendit kandidat.
Po ashtu ajo uroi Kryeministrin që ta çojë përpara procesin e reformave, duke shtuar se perspektiva europiane është një vrull i nevojshëm dhe reformat janë kyçe në këtë drejtim.
Sipas saj çështja nuk është a do ta marrë statusin e vendit kandidat Shqipëria, por se kur do e marrë.
Ndërsa lidhur me situatën në rajon, ajo tha se në Ballkanin Perëndimor kanë ndryshuar disa gjëra në drejtimin pozitiv. Gjithashtu Merkel deklaroi se ka marrë ftesë nga Kryeministri Rama për një vizitë në Shqipëri, duke nënvizuar se brenda një vitit do të vizitojë Shqipërinë.
Ndërsa nga ana e tij Kryeministri Edi Rama tha se u diskutua lidhur me një bashkëpunim shumë miqësor, të hapur dhe intensiv, lidhur me ecurinë e punëve në Shqipëri, rajon dhe lidhur me rolin e Shqipërisë dhe rolin e rajonit për të çuar më tutje projektin e madh të integrimit europian.
Në vijim Rama shprehu mirënjohje ndaj kancelares Merkel dhe Gjermanisë për rolin që ky vend ka luajtur në mbështetje të Shqipërisë, duke e vënë theksin te rritja e bashkëpunimit ekonomik.
“E sigurova kancelaren se qeveria jonë është tërësisht e vendosur por të ecur në rrugën e modernizimit, të reformave që do të garantojnë luftë reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ky është vetëm fillimi, në rrugën që Shqipëria kërkon të ecë drejt Europës, pasi integrimi është proces i patjetërsueshëm. Vendi ynë është në Europë dhe ne do të bëjmë çdo gjë për të merituar atë respekt që shqiptarët meritojmë dhe që me ndihmën e Gjermanisë, me ndihmën e kancelares ne do të mund t’ua japim. Gjithashtu shpreh vetëdijen se procesi i integrimit është instrument për modernizimin e Shqipërisë”, deklaroi kreu i qeverisë.
Lidhur me investimet gjermane në Shqipëri, Rama theksoi se do të krijohen kushte për thithjen e tyre, dhe në këtë drejtim do të zhvillohen edhe disa takime./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





