
Tiranë, 28 shkurt 2014, NOA.al- Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka reaguar lidhur me protestën e shoferëve të furgonave 8+1.
Në fjalën e tij ministri tha se situata është anarkike në transportin ndërqytetas, ndërsa shtoi se nga ana e qeverisë do të zbatohet ligji.
Ai theksoi se detyra është që të zgjidhen problemet sado të vështira që të jenë dhe të ofrohen standarde të larta sigurie për qytetarët.
“Ne kemi detyrim ndaj atyre që kanë humbur jetën në aksidente. Ndaj taksitë do të jenë taksi, autobusët autobusë. Nëse pronarët e taksive 8+ 1 duan të vazhdojnë aktivitetin sipas licencave, ata duhet të vendosin taksimetrin, duhet të mos ndalojnë vend e pa vend, duhet të marrin si pasagjerë në kthim vetëm ata që kanë marrë në vajtje. Në të kundërt le të aplikojnë për ligjin e transportit ndërurban, të nisen në orare të caktuara, të kenë mjete me kushte dhe parametra sigurie. Kjo situatë kur nga njëra anë duhet të kenë avantazhet e të qenit taksi dhe të transportit ndërurban nuk mund të vazhdojë kështu. Kjo formë është në kundërshtim me ligjin dhe diskriminom 5600 drejtues autobusësh, por mbi të gjitha cenon sigurinë dhe jetën e qytetarëve”, tha Haxhinasto.
Ai theksoi se qeveria është e angazhuar për një sistem modern dhe të sigurt të transportit ndërqytetas.
Po ashtu ministri kujtoi alternativën e ofruar nga qeveria për pronarët e taksive 8+1, duke thënë se u është dhënë mundësia që ata të ofrojnë shërbimin taksi brenda qarkut, zgjedhje kjo e cila i lejon që të punojnë deri në stabilizimin përfundimtar të situatës së transporti publik.
Në vijim Haxhinasto iu bëri apel deputetëve të opozitës që të mos politizojnë këtë protestë, të mos e përdorin politikisht, dhe të mos përkrahin paligjshmërinë. Nga ana e tyre protestuesit janë shprehur të vendosur për të vijuar në rrugën e protestës deri sa të jepet zgjidhje, dhe vendosën që të qëndrojnë në shesh deri në përgjigjen e Kryeministrit Edi Rama./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





