
Kosovë, 28 shkurt 2014, NOA.al- Sot bëhen 16 vite që nga Lufta e Kosovës, e cila filloi me 28 shkurt të vitit 1998, pas sulmit jugosllav në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë, të Kosovë.
Si pasojë e betejës së zhvilluar të ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe patën mbetur të vrarë disa policë serbë dhe në shenjë hakmarrjeje forcat serbe rrethuan fshatrat Likoshan e Qirez ku edhe u ekzekutuan 24 civilë.
Masakra që u bë aty njihet si e para ndaj civilëve shqiptarë nga forcat serbe në Kosovë, raporton kosovapress.com.
Nga kjo luftë u dëbuan 800,000 mijë shqiptarë dhe u vranë 15,000 persona, nga të cilët 2,400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerët civilë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5,000 njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por i madh ka mbetur numri i rasteve të pasqaruara.
Një ndër masakrat që tronditi botën e civilizuar dhe tmerroi botën ishte maskara në familjen Ahmeti.
Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar afër 20 mijë femra shqiptare dhe sipas një përllogaritje, gjatë periudhës kohore mars 1998 – qershor 1999, njësitë kriminale dhe artileria e rendë serbe kanë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1.100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200.000 shtëpi, banesa, lokale, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj.
Kjo luftë që filloi nga 28 shkurt 1998 e deri më 23 mars 1999 u zhvillua mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave jugosllave. Ndërsa nga 24 mars 1999 e deri më 10 qershor 1999, Aleanca Veriatlantike NATO me bombardime të përditshme në caqet ushtarake jugosllave, me përkrahjen tokësore të UÇK-së detyroi forcat serbomalazeze dhe Sllobodan Millosheviqin të nënshkruaj kapitullimin në Kumanovë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





