



Për 2 ditë me radhë mbi 40 lojtarë morën pjesë në aktivitetin Streetball Tirana Open, aktivitet i hapur dhe i lirë për të gjithë amatorët e basketbollit në qytet.
Për herë të parë zhvillohet në mes të qytetit me një impiant të standardeve europiane dhe profesional.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Nevila Xhindi ka qenë e pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për fituesit e këtij aktiviteti të organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe Federata e Basketbollit.
“Në kuadrin e gjallërimit të jetës së qytetit dhe sigurisht dhe në kuadrin e një viti të gjatë festiv për Tiranën, sot kemi sjellë për qytetin e Tiranës një risi, është kjo fushë e improvizuar basketbolli, një bashkëpunim i Bashkisë Tiranë me Federatën Kombëtare të Basketbollit. Kjo është një gjë e re, një basketboll për të gjithë, është një Street Basket Tirana, kështu e kemi quajtur ne dhe është një bashkëpunim i suksesshëm që do vazhdojë gjatë dhe unë uroj që kjo fushë ti shërbejë të gjithëve dhe të ketë sa më shumë lojtarë të rinj që do t’i bashkohen këtij sporti – tha znj. Xhindi.
21 ndeshje janë zhvilluar në dy ditë dhe në përfundim finalja u fitua nga ekipi “Nona” me rezultatin 16-15 kundër ekipit "Shkodra".
Bashkia e Tiranës thotë se në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit do të zhvillojë aktivitete të tilla edhe në muajt e ardhshëm.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





