
Korçë, 27 shkurt 2014, NOA.al- Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka nisur sot prishjen e 20 objekteve pa leje në Kapshticë.
Pas inspektimit të terrenit, verifikimit të dokumentacionit dhe konstatimit të ndërtimeve të paligjshme Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar vendosi prishjen e tyre. Operacioni filloi rreth orës 10:00 dhe do të vazhdojë gjatë gjithë ditës. Veprimet e grupeve të gatshme, inspektorëve të terrenit dhe mjeteve të rënda drejtohen nga Kryeinspektori i INUK-ut, Zyhdi Dajti.
Njëherazi rreth orës 11:00 pas konstatimit të Policisë së Pogradecit INUK-u u njoftua për kryerjen e punimeve nga një subjekt fare pranë bregut të liqenit, në fshatin Volorek të Komunës Buçimas, dhe vendosi bllokimin e aktivitetit të saj deri në verifikimin e dokumentacionit. Njësitë e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar dhe policia lokale ndodhen në vendin ku kryhen punimet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Po ashtu prej dy ditësh INUK vazhdon inspektimin në zonat e Pogradecit, përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit nga fshati Lin deri në Tushemisht, dhe Korçës deri në Kapshticë, në bazë të një plani veprimi për verifikim, dokumentimin dhe prishjen e ndërtimeve të paligjshme, në përmbushje të angazhimit të qeverisë për zbatimin me vendosmëri të ligjit për çlirimin e hapësirave urbane dhe zhvillim të qëndrueshëm të territorit./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





