Transmetuar më 27-02-2014, 13:48

Chelsea është e vetmja skuadër angleze nga katër, rezultati i së cilës mund të konsiderohet pozitiv pas 90 minutave të para, pavarësisht se një barazim.

Blutë e Londrës regjistruan barazimin 1-1 në transfertën me Galatasaray-in, që mund të jetë një ndihmë e madhe për takimin e kthimit.

Jose Mourinho pranoi se barazimi ishte rezultati më i drejtë për atë që dy ekipet dhanë në fushën e lojës. “Në pjesën e parë ne shpërdoruam disa raste, ndërsa në pjesën e dytë u arrit rezultati më i drejtë.

Në pjesën e parë ne ishim ekipi më i mirë dhe duhet të kishim shënuar më shumë, por në pjesën e dytë ata presuan më shumë dhe ne u mbrojtëm më shumë.

Humbëm pak fuqi në sulm por në anën tjetër luajtëm mirë në mbrojtje. Pësuam një gol nga goditja e këndit, që është diçka e cila nuk më pëlqen si mua ashtu dhe lojtarëve të mi.

Gjithsesi duhet ta pranojmë që në pjesën e dytë ata luajtën më mirë ndaj rezultati përfundimar ishte mëse i drejtë”.

Mourinho theksoi se në këtë periudhë skuadra e tij nuk ka një marrëdhënie të mirë me golin duke mos shfrytëzuar të gjitha rastet që paraqiten:

“Disa skuadra kanë tre raste gjatë gjithë ndeshjes dhe shënojnë tre herë, ne krijojmë pesë mundësi shënimi dhe vetëm një herë arrijmë të realizojmë.

Kjo nuk është një kritikë për sulmuesit, por e tillë është gjendja e skuadrës sonë për momentin. Ne arrijmë mirë deri në zonë por në pasimin e fundit, në goditjen përfundimtare duket sikur mungon diçka për të “vrarë” kundërshtarin.

Kjo është arsyeja që kemi lënë pikë në ndeshjet e fundit në Premier League dhe gjithashtu nuk arritëm të bënim një rezultat tjetër në takimin me Galatasaray-in.

Gjithsesi dhe barazimi nuk është një rezultat për t’u hedhur poshtë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit