Transmetuar më 27-02-2014, 13:18

Nemanja Vidic është zyrtarisht futbollist i Interit, citon Supersport. Mbrojtësi serb ka nënshkruar një kontratë trevjeçare, në bazë të së cilës do të përfitojë 2.8 milionë Euro në sezon, shumë që mund të shkojë deri 3.3 milionë bashkë me bonuset.

Drejtori i zonës teknike, Piero Ausilio ka fluturuar drejt Londrës për të mbyllur një marrëveshje të cilën presidenti Eric Thohir e kishte përkufizuar 90% të kryer.

Kishin mbetur për t’u diskutuar vetëm disa detaje të vogla, si dhe të drejtat e imazhit, por tashmë nuk ka më asnjë dyshim, gjigandi serb, kontrata e të cilit me Manchester United skadon në përfundim të kampionatit, sezonin e ardhshëm do të veshë fanellën zikaltër.

Por udhëtimi i Ausilios në Angli kishte qëllim të dyfishtë, pasi përveç se me Vidic ai është interesuar edhe për mbrojtësin e Arsenalit, Bacary Sagna.

Edhe 31-vjeçari me prindër senegalezë në fund të sezonit do të jetë lojtar i lirë, kështu Interi kërkon të përfitojë nga ky fakt, për ta përforcuar grupin me një lojtar me eksperiencë ndërkombëtare.

Gjithsesi vendimi përfundimtar i përket vetë lojtarit, i cili duhet të zgjedhë mes qëndrimit në Premier League, apo eksperiencës në Serinë A me Interin.

Propozimi për rinovimin me “Topçinjtë” është hedhur poshtë nga Sagna, por në skenë ka dalë Liverpooli dhe disa skuadra nga kampionati spanjoll.

Interi mund të penalizohet në këtë garë vetëm nga fakti se nuk do të luajë në Champions League sezonin e ardhshëm.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit