
Tiranë, 27 shkurt 2014, NOA.al- Në seancën e sotme parlamentare, opozita ka shfrytëzuar shkarkimin e Zana Xhukës nga posti i inspektores së ILDKP dhe protestën e zhvilluar para Kuvendit nga ish-punonjës të administratës civile, për ti bërë të ditur qeverisë se konsensusi mes pozitës dhe opozitës ka marrë fund, pasi qeveria ka dhunuar të gjitha institucionet kushtetuese në vend.
Gjithashtu opozita i ka kërkuar mazhorancës që të anulojë vendimin për shkarkimin e kryeinspektores. Ndërkohë që mazhoranca është përgjigjur duke thenë se, shkarkimi i saj është bërë sipas kushtetutes dhe se opozita po mbron paligjshmërinë.
Pas më shume se një orë debatesh dhe diskutimesh në sallën e Kuvendit, në momentin kur mazhoranca ka vijuar diskutimin për rendin e ditës, opozita në shenjë proteste ndaj arrogancës së qeverisë, siç tha ajo, është larguar nga salla e parlamentit.
Shkarkimi i Xhukës, Subashi: Nuk u shkel kushtetuta
Deputeti i PS-së Armando Subashi në emër të mazhorancës u shpreh se me votimin për shkarkimin e Zana Xhukës nga posti i kryeinspektores së ILDKP, mazhoranca i ktheu dinjitetin parlamentit, pasi në kohën kur u zgjodh, qeveria e drejtuar nga PD nuk i votoi të dy dekrete e presidentit.
Sipas Subashit, shkarkimi i saj erdhi pas ankesave të shumta që pati nga punonjësit e ILDK-së dhe mazhoranca nuk mund të mbyllte sytë para këtyre ankesave.
“Sipas ankesës inspektorja nuk zbatonte ligjim në detyrat e veta, neglizhon me dashje detyrat e veta. Kjo veprimtari një-vjeçare ka sjellë si rezultat paralizimin e atij institucioni. Kuvendi nuk mund të mbyllte sytë përballë ankesës që ju drejtua. Zonja nuk plotësonte kriteret taksative që kërkonte ligji. Duhet të jetë ekonomiste financiare ose juriste, duhet të kishte 10 vjet në profesion, ajo nuk i kishte. Nuk ka asnjë shkelje të rregullores, kuvendi ka qenë në të drejtën që i njeh rregullorja.”- deklaroi Subashi.
Në lidhje me argumentet e paraqitura nga opozita, deputeti Subashi tha se, ato janë politike dhe nuk vlejnë për këtë sallë.
Gjatë diskutimit të deputetit Subashi në parlament, opozita ishte e gjitha në këmbë dhe bënte zhurme duke ju rënë tavolinave dhe duke fishkëllyer.
Topalli-Ramës: Je kryeministri më i pafytyrë që ekziston
Mjaft e ashpër ishte ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjatë fjalës së saj në Kuvend, teksa akuzonte qeverinë për shkelje të kushtetutshmërisë së institucioneve të pavarura.
Pasi ka akuzuar Metën për demontimin e shtetit, Topalli ka reaguar ndaj kryeministrit Rama, i cili ndërhyri gjatë fjalës së saj.
Duke i kërkuar që të mos ndërhynte kur ajo fliste, Topalli i tha kryeministrit Rama se, “zoti kryeministër mos fol pas shpinës time, bëhu njëherë burrë dhe dil fol. Është e turpshme. Kryeministri zgërdhihet, shan, i turret opozitës, një minimum edukate duhet ta tregosh përpara deputetëve dhe shqiptarëve. Ti je kryeministri më i pafytyrë që mund të ekzistojë, dil dhe fol përballë dhe mos belbëzo aty mbrapa duke fyer e duke kërcënuar. Mos fol pa leje, je kryeministri më qesharak që ky parlament ka parë ndonjëherë”.
Debate në seancën parlamentare, opozita: Po dhunohen institucionet e pavarura
Me tensione dhe debate nisi seanca e sotme parlamentare. Opozita nëpërmjet deputeti Eduard Halimi akuzoi mazhorancën se ka vënë në gijotinë institucionet e pavarura. Deputeti Halimi solli si shembull shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP Zana Xhuka, duke u shprehur se shkarkimi i saj ishte tërësisht në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe për hakmarrje politike.
“Ky parlament po merr fund. Ky parlament duhet të rikthejë kushtetutshmërinë. Paligjshmëria dhe padrejtësia janë ulur këmbëkryq këtu. Mazhoranca pushtoi një javë më parë një institucion të pavarur, që kontrollon pasuritë e tyre,”- tha Halimi.
Meta: Ju shkelni rregulloren se jam unë tolerant
Protestës së opozitës në Kuvend i është përgjigjur Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili u shpreh se, “unë e kuptoj që ju keni ardhur për anti-miting këtu, por anti-mitingun e keni me kryetarin tuaj, z.Basha që nuk ju dha fjalën në protestë, jo me ne. Por ju shfrytëzoni faktin se unë jam tolerant dhe ju shkelni rregulloren”.
Paloka: Ktheni mbrapsht shkarkimin e Zana Xhukës
Kreu i grupit parlamentare të PD-së Edi Paloka i bëri thirrje mazhorancës të tërhiqet nga vendimi për shkarkimin e Zana Xhukës nga drejtimi i ILDKP-së, për të kthyer, siç tha ai, parlamentin në kushtetueshmëri.
“Jemi këtu për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve që ju po i shkelni përditë me këmbë. Ktheni në këtë parlament kushtetueshmërinë, ktheni mbrapsht të gjithë atë procedurë që keni ndjekur herën tjetër, një procedurë e turpshme. Bëni mirë të tërhiqeni shpejt, sepse do të jetë shumë vonë. Riktheni ligjin, sepse jemi përballë një situatë vërtet të rëndë. Kërkoni integrimin e Shqipërisë, po ç’integroni shtetin shqiptar.”- deklaroi Paloka.
Sot seanca parlamentare, opozita zyrtarizon qëndrimin
Kuvendi mblidhet sot në seancën e radhës, ku në rendin e ditës janë vetëm dy projektligje për tu votuar si dhe një interpelancë me ministren e Arsimit e kërkuar nga deputetët të LSI, Kejdi Mehmetaj.
Në këtë seancë pritet që opozita, të vendosë për qëndrimin që do të mbajë për marrëdhëniet që do të ketë me Parlamentin, ky vendim do të merret në mbledhjen e grupit parlamentarë të PD, që ka nisur para pak minutash.
Po në orën 10:00 kur nis seanca, pritet të zhvillohet edhe një protestë e punonjësve të shkarkuar nga Administrata, të cilët kërkojnë rikthimin në punë.
Rendi i ditës
Projektligji «Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Vjenës “Për të drejtën e traktateve midis shteteve dhe organizatave ndërkombëtare ose midis organizatave ndërkombëtare”, 1986”. (shumicë e thjeshtë)
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e “Programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare”. (shumicë e thjeshtë)
Projektligji “Për kujdesin shëndetësor të veçantë të punonjësve të strukturave speciale operacionale të Policisë së Shtetit”. (shumicë e thjeshtë) (vazhdon shqyrtimi në komisione)
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore” të ndryshuar”. (shumicë e thjeshtë) (vazhdon shqyrtimi në komision)
Projektligj “Për disa ndryshime ne ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. (shumicë e thjeshtë) (vazhdon shqyrtimi në komision)
Interpelancë me Ministren e Arsimit dhe Sportit kërkuar nga deputetja Kejdi Mehmetaj lidhur me masat e parashikuara nga ministria për problemet e organizimit dhe administrimit të Maturës Shtetërore 2014.
Përmbledhje e seancës parlamentare
Kuvendi i Shqipërisë nën drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta është mbledhur sot në seancë plenare. Fillimisht Kryetari i Kuvendit njohu deputetët me raportin e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin që u mblodh sot para seancës plenare.
“Këshilli u njoh dhe diskutoi rreth vendimit nr. 12, dt 24.2.2014 të KQZ “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit, kandidatit të listës shumëemërore të Partisë LSI, në Qarkun e Durrësit, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë pas heqjes dorë nga mandate i deputetit të z. Edmond Panariti”, tha Kryetari i Kuvendit.
KQZ, në mbështetje të nenit 164, pika 2 të ligjit nr. 10.019, dt. 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë’ të ndryshuar” i ka dhënë mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Bujar Derveni. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në mbledhjen e tij administroi dorëheqjen e deputetit të z. Edmond Panariti dhe vendimin e KQZ dhe në përfundim bëri verifikimin e vlefshmërisë së mandatit të fituar”, theksoi z. Meta.
Z. Bujar Derveni që ka fituar mandatin e deputetit, në mbështetje të nenit 4, pika 1 të Rregullores së Kuvendit bëri betimin në seancë plenare.
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta më pas bëri me dije edhe rendin e ditës së seancës plenare, ku përfshiheshin projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Vjenës “Për të drejtën e traktateve midis shteteve dhe organizatave ndërkombëtare ose midis organizatave ndërkombëtare”, 1986” dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e “Programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare”.
Ndërkaq, tre nga pesë projektligjet e parashikuara për t’u diskutuar në këtë seancë janë shtyrë pasi janë ende në shqyrtim në komisionet parlamentare.
Në fillim fjalën e mori Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, z. Edi Paloka, i cili kërkoi kthimin në Parlament të kushtetutshmërisë. Z. Paloka akuzoi parlamentin se shkarkimi i ish-Inspektores së Përgjithshme të ILDKPKI-së, znj. Zana Xhuka ka qenë i pamotivuar dhe se është shkelur ligji dhe Kushtetuta, duke kërkuar kthimin e vendimit për shkarkimin e saj.
Duke marrë fjalën gjatë diskutimeve në parlament, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, ftoi deputetët e opozitës për të bashkëpunuar dhe për gjithëpërfshirje, ashtu sikurse vepruan dje këshilltarët në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
“Gjej rastin njëkohësisht që të përshëndes këshilltarët e Aleancës për Shqipërinë Europiane, dje në këshillin Bashkiak të Tiranës të cilët kanë votuar Buxhetin e ri të Bashkisë së Tiranës për këtë vit, duke treguar frymë përgjegjshmërie, bashkëpunimi dhe konstruktiviteti dhe vërtet na vjen keq që opozita këtu në Parlament sillet në mënyrë të tillë”, tha z. Meta.
“Por ka edhe një arsye për të cilën ne duhet t’i mirëkuptojmë për shkak të garës që kanë brenda partisë, se kanë zgjedhje e reja dhe u duhet protagonizmi në parlament sepse mendojnë që në këtë mënyrë mund të evidentohen më mirë në strukturat e reja të partisë. Është një çështje e tyre. Ne do ta ruajmë durimin dhe qetësinë si gjithmonë dhe do t’i ftojmë për bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje”, theksoi Kryetari i Kuvendit.
Pas debateve opozita vendosi të largohej nga seanca plenare.
Ndërkaq, z. Meta i bëri apel opozitës që të kontribuojë për fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Parlamentit. Kryetari i Kuvendit tha se Partia Demokratike injoron një fakt mesa duket me qëllim.
“Meqenëse u përmend përsëri problemi i institucionit të ILDKP-së. Ajo që është për të ardhur keq është që Partia Demokratike injoron, natyrisht me sa duket me qëllim, një fakt tërësisht të papranueshëm dhe absurd, që përfaqësuesja një institucioni të zgjedhur nga Kuvendi nuk denjonte të komunikonte me Kuvendin, me Komisionin e Ligjeve, të paraqitej atje, që është një detyrim jo vetëm kushtetues he institucional, por edhe etik, edhe moral, edhe ligjor”, shtoi z. Meta.
“Sepse cilido që zgjidhet nga Kuvendi dhe që varet nga Kuvendi e ka për detyrë që të respektojë edhe Kushtetutën , të respektojë edhe ligjet, të respektojë edhe Kuvendin. Dhe tjetra, Shqipëria është një republikë parlamentare. Nuk mund të ketë asnjë institucion mbi Kuvendin. E ftoj edhe Partinë Demokratike, si partia kryesore opozitare, që të kontribuojë për fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit”, deklaroi Kryetari i Kuvendit.
Në vijim, Kuvendi miratoi me 74 pro projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Vjenës “Për të drejtën e traktateve midis shteteve dhe organizatave ndërkombëtare ose midis organizatave ndërkombëtare”, 1986” dhe me 77 vota pro projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e “Programit të ndihmës së integruar për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare”
Seanca plenare mbylli punimet rreth orës 14:20.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





