Transmetuar më 26-02-2014, 22:32

Banka e Shqipërisë vendosi të mërkurën të ulë sërish normën bazë të interesit për lekun, me qëllim nxitjen e aktivitetit ekonomik në vend. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u shpreh se norma bazë e interesit ulet me 0.25 pikë për qind duke arritur në nivelin 2.75 për qind.

“Në gjykimin e Këshillit Mbikëqyrës rritja e stimulit monetar krijon kushtet e përshtatshme për përmbushjen e objektivit të inflacionit afatmesëm nëpërmjet nxitjes së kërkesës agregate dhe ankorimit të pritjeve inflacioniste”, – tha Fullani. Kjo është hera e dytë që BSH ul normën bazë të interesit brenda 3 muajve të fundit. Në dhjetor të vitit të kaluar Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit me 0.25% duke e zbritur në 3%.

Guvernatori tha se, inflacioni vijoi prirjet ngadalësuese, duke qenë mesatarisht 1.7% në muajin Janar, i ndikuar nga reduktimi i çmimeve të ushqimeve.

Ndërsa u shpreh optimist për vitin në vazhdim, për rritjen e kërkesës konsumatore dhe zgjerimin e aktivitetit ekonomik e sipërmarrës, mbështetur në nismat e reja fiskale të qeverisë.

Parashikime optimiste

Banka e Shqipërisë parashikon një përmirësim gradual të aktivitetit ekonomik në vend gjatë vitit 2014. Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, në konferencën për shtyp, tha se zhvillimet makroekonomike të vitit 2013 u karakterizuan nga një rritje e dobët ekonomike dhe nga presione inflacioniste në rënie.

Ndërsa tha se pritet një përmirësimin gradual të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2014, mbështetur edhe në lehtësimin e kushteve monetare që synojnë të krijojnë stimujt e duhur monetarë për rikthimin e inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor afatmesëm”. Të dhënat më të fundit të tregtisë së jashtme tregojnë një zgjerim vjetor me 13.5% të deficitit tregtar gjatë muajit dhjetor.

Eksportet e mallrave vijuan prirjen e tyre rritëse, por zgjerimi me ritme dyshifrore i importit solli rritjen e deficitit tregtar gjatë kësaj periudhe.

Rritja e importeve vlerësohet të ketë ardhur kryesisht si pasojë e tërheqjes me një muaj në kohë të aktivitetit importues prej tregtarëve, në pritje të hyrjes në fuqi të paketës së re fiskale në janar të vitit 2014.

Importet shënuan rritje me rreth 15.8%, ndërkohë që eksportet janë rritur me 19.5%.

Politika fiskale ka vepruar në kahun lehtësues gjatë vitit 2013, duke dhënë një impuls prej 1.3 pikësh përqindjeje në rritjen ekonomike. Stimuli fiskal është reflektuar si në rritjen e shpenzimeve, ashtu edhe në rënien e të ardhurave fiskale.

Kështu, shpenzimet buxhetore shënuan një rritje vjetore prej rreth 4.7%, ndërsa të ardhurat fiskale ranë me 0.5% gjatë vitit 2013.

Gjithsesi, deficiti buxhetor ishte më i ulët se parashikimi, duke shënuar vlerën 4.8% të PBB-së kundrejt nivelit 6.2% të planifikuar.

Guvernatori Fullani tha se “për vitin në vazhdim, politika fiskale pritet të marrë një natyrë më të kujdesshme, çka do të reflektohet në një deficit më të ulët buxhetor dhe në një stimul më të ulët fiskal. Në plotësim të saj, pagimi i faturave të prapambetura pritet të shoqërohet me përmirësim të bilanceve të sektorit privat dhe të krijojë kushte më të mira për gjallërimin e kërkesës së tij”.

Banka e Shqipërisë ka kërkuar dhe ka mbështetur marrjen e masave për ruajtjen e qëndrueshmërisë së borxhit publik, theksoi Fullani, ndërsa evidentoi se, ecuria e treguesve monetarë ka qenë në linjë me zhvillimet në ekonominë reale dhe analizat tona tregojnë se presionet monetare mbi inflacion janë të ulëta.

Aktiviteti kreditues mbetet i dobët, duke reflektuar kërkesën e ulët të agjentëve ekonomikë për financim dhe politikat konservatore të kreditimit të aplikuara nga bankat. Reduktimi i çmimit të kredisë në tremujorin e katërt nuk është shoqëruar ende me rritjen e kërkesës për kredi.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit