
UPDATE – Policia ka arritur të vërë në pranga një person që e sheh si përgjegjës për vendosjen e bombës në një makinë e cila i përkiste policit të burgut në Fushë Krujë.
Burime zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës, i thanë agjencisë noa.al se sot nga strukturat e Komisariatit të Policisë Krujë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Jetmir Ziri, 24 vjeç, banues në Fushë Krujë.
“Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se Jetmir Ziri është autori i dyshuar i vendosjes së një sasie eksplozivi në automjetin e shtetasit Alfred Mema, punonjës i policisë së burgut në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në Fushë Krujë”, – thanë burime zyrtare policore.
Lënda plasëse e vendosur në automjetin e shtetasit A.M., ka shpërthyer në orët e para të ditës së sotme.
Në sajë të hetimeve intensive të kryera, u bë e mundur identifikimi e kapja e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, Jetmir Ziri. /a.b/noa.al/
Bombë makinës së gardianit
Automjeti i një punonjësi policie të Institucionit të Ekzekutimit të Veprave Penale në Fushë Krujë u dëmtua me eksploziv në orët e para të së mërkurës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02.35 të mëngjesit. Punonjësi i policisë së burgut, Alfred Mema ishte me shërbim në orët e natës dhe kishte parkuar automjetin e tij tip “Golf” jashtë ambjenteve të burgut ku punon.
Pas veprimeve të para hetimore gjatë pasdites, policia arrestoi edhe të dyshuarin e parë si autor të kësaj ngjarjeje, 24-vjeçarin Jetmir Ziri nga Fushë Kruja.
Burime policore lokale deklarojnë se nga hetimet paraprake rezulton se Ziri ka patur konflikt me punonjësin e policisë. Nga shpërthimi i automjetit nuk pati të lënduar.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





