Transmetuar më 26-02-2014, 20:07

Një martesë pa fëmijë është si një pemë pa fruta. Kështu thuhet nga një proverbë e vjetër, por duket se eksperienca e prindërimit nuk është e gjitha fushë me lule.

Madje ndodh që lindja e fëmijës të prishë ekuilibrat në çift, duke krijuar mungesë lumturie.

Kësisoj së fundmi janë shtuar së shumti çiftet që quhen “childfree” (pa fëmijë), për të cilët mos pasja e një fëmije është një zgjedhje e tyre.

Në këtë drejtim Italia mban rekordin europian, ku numërohen çiftet më të shumtë që nuk duan ta provojnë një eksperiencë të tillë.

Një studim i drejtuar nga Open University në Britaninë e Madhe ka intervistuar mbi 5 mijë persona në moshë të ndryshme, statuse dhe orientime seksuale të ndryshme.

Por nga analizimi i të dhënave, rezultoi se çiftet pa fëmijë janë më të lumturit, sepse si meshkujt edhe femrat ndihen më të kënaqur me lidhjen e tyre, si dhe më të vlerësuar nga partneri.

Pika e fortë e këtyre çifteve duket se qëndron në angazhimin për të mbajtur gjallë lidhjen, nëpërmjet momenteve romantike dhe aventurave në çift.

Ndërkohë nga ana e studiuesve ndër faktorët që prishin ekuilibrin në çift me lindjen e fëmijës, numërohen stresi, xhelozia, rutina, mungesa e kohës së kaluar bashkë dhe përkujdesja për fëmijët.

Kësisoj rezultatet e studimit hedhin poshtë idenë se lindja e fëmijës është kurorëzimi i jetës në çift, ndërsa nga ana e studiuesve thuhet se, “Çiftet mund të jenë të lumtur edhe pa qenë prindër. Gjithçka varet nga ajo që dëshirohet në raportin në çift. Nëse çifti ndihet i plotësuar, bënë mirë që të mos ketë fëmijë, ndërsa kush nisë të ketë dëshirën e mëmësisë apo atësisë, duhet ta vlerësojë më së miri këtë eksperiencë”./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit