
Elbasan, 26 Shkurt 2014 NOA.al – Ka trokitur në banesat e tre familjeve në Tiranë, Berat e Skrapar, duke i bindur vajzat që gjente tek to, se duhet të dëgjonin predikimet e tij për fenë, që në fakt ishte një fe e sajuar prej tij.
Por i ka barsur me urrejtje për fenë që ata kishin, duke i detyruar me një bindje të verbër që të urrenin fenë e tyre e të përqafonin atë që i nxiste ai. E kjo fe nuk ishte asgjë tjetër veçse detyronte vajzat ta shihnin si “Mesia” shpëtimtari duke i kërkuar që të bindeshin në çdo orientim që u jepte.
Autori i kësaj traume psikologjike që u ka shkaktuar tre femrave, është I.H, 39 vjeç, banues në lagjen “5 Maji” Elbasan.
Burime zyrtare nga policia Elbasan i thanë agjencisë noa.al se ky shtetas, ka shkuar disa herë në banesat e A.Q, banues në Tiranë, Sh.H, banues në Berat, F.B, banues në Skrapar, ku me anë të predikimeve të bëra nga ana e tij u ka nxitur urrejtjen vajzave të tyre kundër besimeve e feve të tjera duke i rënduar ato nga ana psikologjike.
39 vjeçari ka bërë komente të ndryshme duke fyer dhe ofenduar persona të ndryshëm në emër të tij.
Ai u predikonte vajzave tek banesa e tij në Elbasan ku ato qëndronin çdo të diel. Ndërsa ditët e tjera ai u predikonte me telefon nga 2 orë në mëngjes dhe 2 orë në darkë. Fjalimet e tij predikuese bëheshin edhe në Skype po kështu u shkonte dhe në shtëpi.
“39 vjeçari prezantohej si përfaqësues i Zotit dhe u thoshte vajzave se ato duhet të dëgjonin çfarë thoshte dhe duhet t’i besonin vetëm atij. Por penetrimi abuziv i 39 vjeçarit shkonte deri aty, sa ai nxiste vajzat e moshës 18 deri 25 vjeçe, që të dëgjonin vetëm atë dhe t’i bindeshin veç atij, deri në përzgjedhjen e bashkëshortëve të tyre.
Ai u thoshte “mos besoni por duhet të më besoni vetëm mua”.
Në këtë mënyrë, ai u mbushte mendjen vajzave që ta shihnin atë si “perëndi”, duke u thënë: “Ja, unë nuk jam me asnjë fe dhe jeta ime është shumë e bukur”.
Policia e Elbasanit tha se ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 39 vjeçarin. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave apo feve”, parashikuar nga neni 265 Kodit Penal”. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





