Transmetuar më 26-02-2014, 18:00

“Të njohësh botën përmes zërit” është nisma e Fondacionit Vodafone Albania në bashkëpunim me komunitetin e personave me probleme në shikim, që ka bashkuar për herë të parë përfaqësues të biznesit shqiptar, artistë të famshëm shqiptarë të mbledhur nga destinacione të afërta e të largëta, por dhe në shoqërinë e dipllomatëve, ministrave e miqve për të bërë të mundur për herë të parë realizimin e një ëndrre, krijimin e një programi në audio në gjuhën shqipe që lejon leximin e kompjuterit e telefonit për komunitetin e personave me probleme në shikim.

Me qëllimin për të kuptuar sfidën e këtij komuniteti, mbrëmja e bamirësisë është konceptuar si një rrugëtim në errësirë. Në kushte të rrepta sigurie dhe në shoqërine e  interpretimit të programit special artistik, më shumë se 200 pjesëmarresit në këtë mbrëmje, përfaqësues të 33 bizneseve të përgjegjshëm do të jenë zëri për të  çuar në sukses këtë nismë. Personat e verbër, të përllogaritur rreth 11 mijë vetëm në Shqipëri, përtej vështirësisë për të parë e njohur format e ngjyrat, kanë një zemër të madhe dhe një mënyrë tepër të veçantë për të perceptuar të përditshmen me anë të emocioneve dhe ndjenjave. Por realizimi i kësaj arritje do u shërbejë shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, e kudo ata ndodhen.

Fondi minimal i nevojshëm për realizimin e qëllimit është 50 000 Euro, e pritet të mblidhet gjatë kësaj mbrëmje. Ky fond do të përdoret për blerjen e software dhe pajisjeve të mundshme, realizimin e regjistrimit të tingujve dhe fjalëve në shqip për këtë aplikim, si dhe sesionet e trajnimit dhe përgatitjen e udhëzuesve të nevojshëm për përdoruesit e këtij programi që u jep më shumë akses në informacion, edukim, njohje, mundësi për shërbime dhe punësim.

Frymëzuar nga ajo  çka kjo nismë synon, është shtuar edhe një kontribut i paçmueshëm i artistëve që falin dashuri e përkujdesje për këtë komunitet, por që japin dhe një shembull të jashtëzakonshëm përgjegjshmërie dhe humanizmi. E famshmja soprano Inva Mula, që është njëherazi edhe Kryetare e Bordit Drejtues të Fondacionit Vodafone Albania, pritet të dhurojë emocione të pashlyeshme përmes pjesëve të përzgjedhura të repertorit të saj. E kësaj do ti shtohen interpretimet e baritonit të mirënjohur Gëzim Myshketa e mezzosopranos Vikena Kamenica, shoqëruar në piano nga mjeshtrat Merita Rexha e Robert Radoja. Por shumë të veçantë priten të jenë dhe interpretimet e artistëve e talenteve që kanë probleme në shikim, përfshirë Blerina dhe Ada Shalari (piano), Denisa Onjea, Franc Korini (kitarë) nga Shqipëria si dhe Unik Ukshini e Leotrimi të ardhur enkas nga Kosova, me moderator të mirënjohurin Virgjil Kule dhe Emiliano Lule.

“Nuk mund të ketë ndjesi më te bukur sesa te jesh i pari për ti dhuruar dikujt atë për të cilën ka shumë nevojë. Por aq më shumë kur në këtë nismë je bashkë me shumë mbështetës të tjerë që kanë besuar tek kjo sfidë, që është thjesht një përgjigje ndaj një nevoje të madhe për personat e verbër, realizuar falë përdorimit të teknologjisë, nismë e realizuar me shumë pasion e dashuri”, tha z. Albi Greva, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit Vodafone Albania gjate konferencës për shtyp, mbajtur ditën e sotme./noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit