Transmetuar më 26-02-2014, 11:36

Tiranë, 26 shkurt 2014, NOA.al- Ecuria e reformave në vend në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës, ishin temat kryesore të diskutimit mes Ministres së Integrimit Evropian Klajda Gjosha dhe drejtorit për Ballkanin Perëndimor të BE, Jonas Johnnson.

Gjatë këtij takimi Ministrja Gjoshaj e vuri në dijeni z. Johnsson, mbi ecurinë e reformave dhe vijimësinë e procesit të integrimit. Drejtori për Ballkanin Perëndimor në BE, shprehu interes mbi hapat dhe masat që po ndërmerren, si dhe për marrëdhënien që maxhoranca ka me opozitën në funksion të axhendës evropiane.

“Maxhoranca ka bërë përpjekje maksimale për të bashkëpunuar me opozitën për realizimin e reformave me rëndësi madhore për vendin. E kemi ftuar të jetë pjesë e diskutimeve në parlament, në të gjitha tryezat e rëndësishme. Më lejoni të theksoj se integrimi në Bashkimin Evropian, kërkon vullnetin e të gjitha palëve, pasi shkon përtej ndasive politike. Axhenda Evropiane nuk i përket as maxhorancës as opozitës, na përket të gjithëve”, u shpreh Ministrja gjatë takimit.

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në BE, z. Johnnson, u shpreh se Bashkimi Evropian inkurajon Shqipërinë për ndërmarrjen e reformave. Sipas tij, ato janë sfidat më të mëdha të Shqipërisë. Z. Johnnson u interesua gjithashtu edhe për mbështetjen që publiku i gjerë ka ndaj integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe punën që po bën qeveria për tu treguar vendeve anëtare se meriton marrjen e statusit.

Ministrja Gjosha, vuri në dijeni z. Johnnson, se në 10 mars nis turi i takimeve me vendet anëtare, për të dëshmuar me masa konkrete përpjekjen e bërë nga dhjetori për të avancuar me procesin e integrimit. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit