







Tiranë, 26 shkurt 2014, NOA.al- Persona që ende mbeten të paidentifikuar, kanë hedhur një bombë të telekomanduar pranë një lokali në Tiranë duke shkaktuar plagë të rënda tek objektivi i tyre dhe dy të tjerë.
Ngjarja ka ndodhur sot në orën 10:20 tek një ndërtesë dykatëshe pranë Institutit të Higjienës në rrugën “Budi”, në Tiranë.
Shpërthimi ka qenë i fuqishëm duke shkaktuar të paktën tre të plagosur, Julian Çela, Artur Sharra dhe biznesmeni Armando Ceka.
Cekës i është prerë njëra këmbë dhe dëmtuar tjetra, kurse Çelës, të dyja këmbët. Plagë më të lehta ka marrë Sharra.
Mësohet se biznesmeni Ceka dhe juristi i tij Julian Çela ndodhen në gjendje kritike. Ndësa truproja i biznesmenit Artur Sharra ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Armando e kishte marrë nën administrim objektin në rrugën "Budi" nga daja i vet, Ilir Mata. Kjo është një ndërtesë dykatëshe në të cilën jetojnë me qira disa persona të tjerë, ndërkohë që godina nuk përdorej më as si kafene dhe as si hotel.
Ambulanca që shikoni në foto ka transportuar në drejtim të spitalit të plagosurit e dëmtuar në të dy këmbët.
Raportimi nga vendngjarja
Bashkëpunëtori i noa.al raportoi nga vendngjarja duke dërguar pamjet që shikoni.
Fillimisht u mendua se kishte shpërthyer një bombol gazi në hyrje të lokalit "Grifon". Por më pas u konfirmua dhe nga policia se bëhej fjalë për shpërthim të shkaktuar nga vendosje lënde plasëse e llojit tritol, që ishte i telekomanduar.
Në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e policisë. Pasi u formua grupi hetimor në përbërje të të cilëve ekspertë kriminalistë, ekspertë të lëndëve eksplozive, ekspertë xhenierë, ata po punojnë në drejtim të administrimit të provave materiale dhe hetimin e kësaj ngjarjeje.
Grupi hetimor në vendngjarje tha se shpërthimi erdhi nga një bombë e realizuar me lëndë plasëse e fuqisë normale plastike rreth 500 gramë, e telekomanduar.
Nga shpërthimi janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale tek lokali dhe mjediset përreth tij.
Armando Ceka, shpërthimi i dytë
Ky është shpërthimi i dytë që i ndodh biznesmenit të ndërtimit Armando Ceka. Më datën 4 shtator 2013, në rrugën “Siri Kodra” një sasi tritoli i është vendosur biznesmenit në fuoristradën tip “Volvo”, me targa AA779 CX.
Makina fuoristradë e biznesmenit shpërtheu sapo Ceka kishte hipur në makinë për ta ndezur por fatmirësisht ai nuk mbeti i lënduar. /a.b/noa.al/
Fotot: Mario Vargo/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





