
Tiranë, 26 shkurt 2014, NOA.al- Akti Normativ i qeverisë për ligjin e Nëpunësit Civil i cili kërkonte të shtynte me 6 muaj efektet e ligjit, nga sot konsiderohet i shfuqizuar. Kjo vjen pasi Qendra e Botimeve Zyrtare ka publikuar sot në Fletoren Zyrtare vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli si antikushtetues aktin normativ të qeverisë.
Opozita nëpërmjet deputetit të saj Oerd Bylykbashi, disa ditë më parë akuzoi qeverinë se po mbante peng mos botimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese në Fletoren zyrtare dhe se për këtë shkelje të qeverisë, do të ndiqeshin të gjitha rrugët ligjore.
Ndërsa ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, deklaroi një ditë më parë se mazhoranca vazhdon të jetë e bindur se ligji ka nevojë për amendime.
Konferenca e Kryetarëve shtyu përfshirjen në kalendarin tre javor të Parlamentit diskutimin e 16 amendamenteve të qeverisë për çështjen e Nëpunësit Civil, me qëllim që të arrihet konsensusi me opozitën. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





