
Londër, 25 shkurt 2014, NOA.al- Kryeministri Edi Rama në një fjalë të mbajtur para një auditori studentësh të Universitetit të Oksfordit, iu referua zhvillimeve në Ballkan dhe perspektivës së këtij rajoni në Bashkimin Evropian.
Duke analizuar të shkuarën e rajonit, Rama shpalosi vizionin e qasjen e qeverisë shqiptare për një të ardhme evropiane të të gjithë Ballkanit, jo thjesht si pjesë gjeografike, por edhe si bartës i vlerave të saj.
“Evropa nuk është një destinacioni jashtë nesh. Evropa duhet të jetë dhe Evropa është një destinacion brenda nesh. Arsyeja e parë dhe më e rëndësishme përse Ballkani ka nevojë për një BE të fortë dhe duhet të bëhet pjesë e saj, janë vlerat mbi të cilat u themelua Evropa dhe ajo që ato vlera përfaqësojnë sot”, u shpreh Kryeministri.
Ndërsa e paraqiti integrimin evropian si një shtyllë kryesore dhe prioritet madhor të politikës së jashtme të Shqipërisë, Kryeministri nënvizoi se qeveria shqiptare e merr këtë proces në radhë të parë, si një sfidë të brendshme, për të ndërtuar në vend, pikërisht këto vlera që Evropa përfaqëson.
“Ne jemi të vendosur të ndërmarrim të gjitha hapat e kërkuar në mënyrë që të marrim statusin e vendit kandidat. Ne do të punojmë fort, duke mbajtur gjithmonë në mendje se integrimi në BE nuk është vetëm një destinacion, por është një set vlerash dhe standardesh që ne si fillim duhet t’i ndërtojmë në vend”, u shpreh Rama.
Një pjesë të fjalës, Kryeministri Rama ia kushtoi përpjekjes së Shqipërisë për arritjen e standardeve evropiane dhe vendosmërinë për të përmbushur çdo hap të nevojshëm për t’ju bashkuar BE-së.
Në vijim Kryeministri Rama, teksa vlerësoi atë çka Britania e Madhe përfaqëson në korpusin e vlerave evropiane, theksoi se qeveria shqiptare e konsideron mbështetjen e saj në rrugëtimin evropian të Shqipërisë të një rëndësie të madhe.
“Shpresoj që, ndërkohë që Shqipëria vazhdon këtë udhëtimin të brendshëm, progresi dhe ndryshimi në mënyrë që të arrijë integrimin në BE, Britania e Madhe të jetë me ne, duke na shtyrë në drejtimin e duhur”, nënvizoi Kryeministri.
Me bindjen se integrimi evropian është e ardhmja e Ballkanit, Kryeministri deklaroi se një bashkëpunim i suksesshëm mes vendeve të tij përbën edhe një faktor kyç për një integrim të suksesshëm evropian.
Ndër të tjera Rama deklaroi se, “Ne jemi të sigurt që Shqipëria do të përfitojë nga BE-ja. Dhe mund t’ju premtoj se BE-ja do të përfitojë nga brezi i ri i shqiptarëve”./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





