
Tiranë, 25 shkurt 2014, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti në takim Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Europian, Jonas Johnsson.
Gjatë takimit kryedemokrati e informoi Johnsson për gjendjen e demokracisë në Shqipëri dhe për atë që e quajti kursin anti-ligjor dhe anti-kushtetues të qeverisë dhe për aktet e saj të fundit kundër konsensusit politik.
Basha evidentoi faktin se qeveria nuk reflekton dhe nuk dëgjon asnjë prej thirrjeve të opozitës dhe qytetarëve, përkundrazi ajo po thellon edhe më shumë krizën institucionale dhe politike në vend.
Kryetari i Partisë Demokratike e informoi Johnsson me faktin se qeveria refuzon të zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, dhe vonon botimin në fletoren zyrtare të vendimit që e shpall të paligjshëm aktin e saj për të shtyrë zbatimin e Ligjit të Nëpunësit civil, çka solli si pasoja fushatën e spastrimeve në administratën publike.
Është e papranueshme dhe e paprecedentë në historinë e shtetit, tha Basha, nisma e re të qeverisë, projekti që synon ndryshimin e Ligjit për Nëpunësin Civil në 16 nene, teksa ky ligj ende nuk është zbatuar. Ky projekt, shtoi Basha, është jo transparent dhe cenon sigurinë juridike të administratës dhe dobëson kushtet e nëpunësve civilë.
Në vijim kryedemokrati theksoi se goditja e institucioneve të pavarura në vend, si rasti i fundit i ILDKP-së, përmes shkeljes së ligjit, Rregullores së Kuvendit dhe uzurpimit të kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës, manifeston vullnetin e mbrapshtë të mazhorancës për të shkelur dhe nëpërkëmbur edhe ato standarde që përbëjnë kushte për integrimin europian të Shqipërisë duke e vënë këtë projekt madhor në rrezik për të dytën herë radhazi qëkur kjo mazhorancë u instalua në pushtet.
Kreu i opozitës e informoi diplomatin e Bashkimit Europian mbi ata që i quajti individë me lidhje të forta politike, pasi janë emëruar në strukturat e policisë kanë rezultuar në krye të linjave të trafikut të drogës.
Basha e njohu Johnsson me pakënaqësinë që po krijon qeveria me mungesën e transparencës dhe arbitraritetin në vendimmarrje, me përkeqësimin që po i bën ekonomisë dhe gjendjes së financave publike dhe të qytetarëve dhe familjeve shqiptare dhe me braktisjen e premtimeve të saj të fushatës zgjedhore./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





