Transmetuar më 25-02-2014, 16:58

Tiranë, 25 shkurt 2014, NOA.al- Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka reaguar zyrtarisht lidhur me rrëzimin e kërkesës së ish-kryeprokurores Ina Rama, për tu rikthyer si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Në këtë qëndrim thuhet se Këshilli i Lartë i Drejtësisë sqaron opinionin publik se vendimet e tij, nuk merren në asnjë rast në ndikimin e politikës.

Po ashtu theksohet fakti se asnjë mazhorancë politike, në çdo kohë dhe në asnjë rrethanë, nuk mund t’i imponojë Këshillit asnjë lloj vendimmarrje.

Në vijim se Këshilli vendosi dje me shumicë votash të rrëzonte kërkesën e zonjës Ina Rama, për t’u emëruar pa konkurrim në detyrën e gjyqtares së gjykatës së Apelit Tiranë, pasi vetë zonja Rama kërkoi t’i impononte vullnetin e saj, KLD-së, duke e kërkuar atë si të vetmen alternativë.

“Për çdo gjyqtar apo ish gjyqtar që kërkon të ushtrojë detyrën në një Gjykatë Apeli, është e drejtë dhe e ndershme që t’i nënshtrohet konkurrimit të barabartë me pretendentët e tjerë, ashtu siç është në tagrin e Këshillit, e drejta për të përzgjedhur më pas konkurrentët më të mirë të mundshëm. Për t’i mbyllur rrugën çdo keqinterpretimi të ligjit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë sqaron se zonja Rama nuk e ka shfrytëzuar asnjëherë të drejtën e saj ligjore, për të kërkuar rikthimin në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, në të cilën ka ushtruar detyrën e gjyqtarit përpara zgjedhjes si Prokurore e Përgjithshme”, thuhet nga ana e KLD.

Po në këtë linjë sqarohet se Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, nuk është e barazvlefshme me asnjë Gjykatë Apeli në vend, për sa i përket karrierës, trajtimit financiar, të drejtës për mbrojtje dhe një sërë të drejtash të tjera./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit