
Elbasan, 25 shkurt 2014, NOA.al- Kontrolli i Lartë i Shtetit pas kontrollit të ushtruar në Drejtorinë Rajonale të ALUIZNI-t, në Elbasan për periudhën Janar 2011-Shtator 2013, ka arritur në përfundimin se për 10 ish-drejtues të kësaj agjencie duhet të nisë procedimi penal, për abuzim me detyrën.
Sipas KLSH, nga auditimi i kryer, u konstatuan një sërë shkeljesh në drejtim të zbatimit të procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, shqyrtimin dhe miratimin e kërkesave për objektet informale dhe në përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje.
KLD informon se, në 167 dosje legalizimi, është konstatuar një diferencë e madhe e sipërfaqes për legalizim me sipërfaqen e legalizuar, e cila përbën një të ardhur të munguar në Buxhetin e Shtetin për Fondin e Kompensimit të Ish-Pronarëve, në vlerë 412,442,529 lekë(ose mbi 4 milionë dollarë), veprim ky në kundërshtim me nenet 17, 19 dhe 20 të ligjit nr. 9482 mbi Legalizimin e Zonave Informale.
Shkelje të tjera të konstatuar nga KLSH, janë se në, disa dosje legalizimi janë dhënë jashtë kondicioneve urbane, pranë rrugëve dhe linjave të hekurudhave, në kundërshtim me legjislacionin ne fuqi.
Ka disa dosje ku legalizimet janë dhënë brenda Studimit Urbanistik të Qendrës së qytetit.
Në disa raste te tjera, legalizimet janë dhënë në zonë të gjelbër, me status juridik, pronë e Bashkisë Elbasan.
Gjithashtu, bën të ditur KLSH, janë legalizuar objekte informale të pavetëdeklaruara nga poseduesi i tyre.
Bazuar në ligj, KLSH ka bërë kallëzim penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për 10 ish-drejtues të ALUIZNI Elbasan 1, dhe konkretisht për L.H., ish-Drejtor ALUIZNI Elbasan, A.Z., ish-Përgjegjës i Sektorit të Regjistrimit dhe Legalizimit, B.V., ish-Përgjegjëse e Sektorit të Legalizim-Urbanizimit, V.H., ish-Përgjegjëse e Sektorit të Legalizimit, M.XH., ish-Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë, I.D., ish-Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë, H.P., ish-Përgjegjës i Sektorit të Regjistrimit Fillestar, F.L., ish-Përgjegjës i Sektorit të Legalizimit, E.T., ish-Përgjegjës i Sektorit të GIS dhe A.XH., ish-Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë.
Gjithashtu, grupi i Auditimit i KLSH ka rekomanduar një sërë masash organizative, ndër të cilat, kërkesa që Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit të fillojë procedurat për shfuqizimin e lejeve të legalizimit, për objektet e pajisura me leje legalizimi, si dhe për ato që kanë lidhur kontratat, në kundërshtim me nenin 2, të ligjit nr. 9482, datë 03.04.2006, të ndryshuar.
Po ashtu, KLSH ka kërkuar të saktësohet, kontabilizohet dhe të kërkohet në rrugë ligjore sa më shpejt që të jetë e mundur, arkëtimi i vlerës 412,633,988 lekë, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe procedurat e tjera ligjore në të gjitha shkallët e gjykimit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





