
Tiranë, 24 shkurt 2014, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani ka shpallur listën e kandidatëve konkurrues që plotësojnë kushtet për një vend vakant në gjykatën e lartë.
Në një qëndrim zyrtar nga Presidenca thuhet se në përfundim të afatit për shqyrtimin e dokumentacionit të çdo konkurruesi për anëtar të Gjykatës së Lartë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në zbatim të ligjit nr. 151/2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, shpall kandidatët të cilët plotësojnë kushtet ligjore të përcaktuara në ligjin e lartpërmendur.
Procesi përzgjedhës do të vijojë me bashkëpunimin midis Presidentit të Republikës dhe kryetarëve të grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim përcaktimin e kritereve konkrete, bazuar në listën e kandidatëve, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë të anëtarit, duke siguruar kështu përbërjen cilësore dhe të nevojshme për Gjykatën e Lartë. Bashkëngjitur gjeni edhe listën e konkurruesve që plotësojnë kushtet ligjore si kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





