Transmetuar më 24-02-2014, 19:35

Tiranë, 24 shkurt 2014, NOA.al- Ish-kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një mesazh urimi, ish-kryeministres së Ukrainës Julia Timoshenko me rastin e lirimit të saj nga burgu.

Në mesazhin e tij ish-kryedemokrati shkruan, “E nderuar zonja Timoshenko, këto ditë mori fund kalvari i torturave, i persekutimit dhe burgosjes suaj si kundërshtare politike e regjimit të Janukoviç, njeriut që përdori votën e qytetarëve të tij si armë lufte për të burgosur dhe ekzekutuar kundërshtarët e tij politik, vlerat e demokracisë, vokacionin europian të kombit tuaj. Ky ishte një lajm shumë i gëzueshëm për Eugenian dhe të gjithë familjen tuaj, miqtë e shumtë, bashkëpunëtorët tuaj, demokratët e Ukrainës dhe për miliona e miliona miq në Shqipëri, në Europë dhe në botë, që kanë ndjekur me admirimin më të thellë qëndresën tuaj heroike për parimet dhe vlerat që ndajnë njerëzit e lirë dhe interesin kombëtar të vendit tuaj të dashur”.

Në vijim Berisha shton se vitet e burgut, torturat, sëmundja dhe mungesa e mjekimit kanë qenë tepër të mundimshme, por shton se Timoshenko me qëndresën, sakrificat, martirizimin për së gjalli, u bë zëri i ndërgjegjes së kombit vigan, ukrainasve demokratë dhe liridashës, zëri i ndërgjegjes perëndimore të Ukrainës.

Sipas tij, qëndresa e Timoshenkos u bë frymëzim i madh për heronjtë e revolucionit që me sakrificën e tyre sublime përmbysën regjimin despotik dhe rikthyen lirinë e grabitur, dinjitetin e shkelmuar të qytetarëve të Ukrainës, vokacionin dhe të ardhmen e ndritur europiane të vendit. Ish-kryeministri e mbyll mesazhin e tij me fjalët, “Me urimet më të përzemërta për ju, miqësisht Sali Berisha”!/a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit