
Kanë qenë duke udhëtuar në brendësi të Kosovës pasi kishin kaluar pa probleme doganën mes dy vendeve, por u ka ndodhur një aksident ndërsa policia tentonte t’i ndalonte për verifikim dhe u është zbuluar një sasi e konsiderueshme droge.
Ngjarja ndodhi dje pak para mesdite në ora 11:30 në rrugën “Sadullah Brestovci”, në Gjilan, raporton korrespondentja e noa.al.
Njësitë policore në pikë kontrolli kanë tentuar të ndalojnë një veturë BMW me targa të Shqipërisë, por drejtuesi i mjetit ka vazhduar lëvizjen duke mos përfillur urdhrat e zyrtarëve policorë.
Vetura gjatë largimit ka shkaktuar aksident trafiku me ç’rast ngasësi i veturës, mashkull shqiptar shtetas i Shqipërisë ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur dhe konfiskuar 53.574 kg substancë narkotike e llojit marihuanë. Lidhur me rastin është vënë nën gjendje arresti dhe ruhet në spital i dyshuari i cili me urdhër të prokurorit do të dërgohet në mbajtje.
Detajet e zbulimit të drogës
Burime zyrtare nga stacioni policor i Kamenicës, konfirmuan për noa.al se “gjatë patrullimit rutinë kanë ndalur veturën e drejtuar nga Z.Rr. 1961 shtetas i me banim në Durrës”.
Shoferi nuk i është bindur urdhrave të policëve që të shkojë në stacionin policor në Kamenicë dhe ka lëvizur veturën me nxitim duke goditur njërin nga policët me veturë, ku i ka shkaktuar lëndime trupore.
Lidhur me rastin janë njoftuar njësitet e trafikut rajonal dhe njësitet patrulluese të stacionit policor të Gjilanit ku janë vënë në ndjekje të veturës së dyshimtë, e cila nuk ka përfillur asnjë shenjë ndaljeje nga policët.
Vetura e dyshimtë, nga Kamenica ka arritur të vijë deri në qytetin e Gjilanit ku në një rrugë dytësore është përplasur me një veturë të parkuar.
Edhe me këtë rast shoferi ka tentuar t’u ikë njësiteve patrulluese të Gjilanit, ku njërit nga policët i shkakton lëndime duke e goditur me veturë.
Z. Rr. është ndalur nga policia rreth orës 11:30 në Gjilan në rrugën e ”Kosovës".
Në vendin e ngjarjes përveç njësive sektoriale dhe hetimeve të stacionit të Gjilanit kanë dalë edhe hetimet rajonale, hetuesit e krim teknikës, njësitet anti-drogë nga shtabi qendror që veprojnë në Gjilan, si dhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Pas ekzaminimit të veturës në brendësi të saj janë gjetur rreth 54 kg, (53.740kg) substancë e llojit marihuanë.
Substanca e gjetur dhe vetura janë konfiskuar nga policia.
Ndaj të dyshuarit do të ngrihen kallëzime penale: 1.Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge, 2.Sulm ndaj personit zyrtar, 3.aksident trafiku me lëndime trupore. Rasti mbetet nën hetime për zgjerimin e mëtutjeshëm dhe mbledhje të dëshmive shtesë. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





