
Tiranë, 24 shkurt 2014, NOA.al- Këshilli i Lartë i Drejtësisë në një mbledhje me dyer të mbyllura ka rrëzuar kërkesën e ish-Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, për tu rikthyer në pozicionin e gjyqtares, post të cilin ajo e mbante para emërimit si kryeprokurore.
Rama kishte kërkuar që të rikthehej si gjyqtare në Gjykatën e Apelit Tiranë, por kjo kërkesë e saj nuk është miratuar.
Në qëndrimin zyrtar të KLD thuhet se, “Seanca plenare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, shqyrtoi kërkesën së Znj. Ina Rama, ish-Prokurore e Përgjithshme e Republikës, për t’u emëruar në detyrën e gjyqtares së gjykatës së Apelit në Gjykatën e Tiranës. Pas diskutimeve, anëtarët e KLD-së vendosën me shumicë votash të rrëzojnë kërkesën, me arsyetimin se duke qenë se Znj. Ina Rama ka qenë gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda dhe jo në Gjykatën e Apelit Tiranë, për t’u emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë, ajo duhet t’i nënshtrohet procedurave të konkurrimit, së bashku me kandidatët e tjerë pretendentë për në atë gjykatë”./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





