
I ka shumë të qarta idetë Jose Mourinho për hapat që mund të hedhë në merkato. Teksa pranoi se Ibrahimoviç te Chelsea është një mision i pamundur, la të nënkuptohet se skuadra e tij mund të tentojë të rrëmbejë tigrin kolumbian Falcao nga ekipi i Monacos.
Mourinho ndërkohë pohoi se ka kontakte të vazhdueshme me Ibrën, i cili impresionoi sërish me tregolëshin e tij në fitoren e fundit të Parisit kundër Toulouse, citon Supersport.
“Zlatan te Chelsea? Eshtë e pamundur. Ai është i lumtur në Paris dhe e di këtë sepse jemi miq dhe flasim shpesh. Veç të tjerash, Paris Saint Germain është një klub i pasur që nuk do ta hapte kurrë derën për të”.
Megjithatë tekniku portugez la vend për dyshime të forta se Chelsea i tij mund të tentojë për Falcaon në të ardhmen.
“Unë kam një skuadër, por jo një sulmues, ndërkohë që Falcao nuk ka skuadër. Një lojtar si ai nuk e meriton të luajë para 3 mijë tifozëve. Monaco është një klub i mirë për të mbyllur karrierën”.
Në të njëjtën kohë, Mourinho përjashtoi edhe mundësinë e një shkëmbimi sensacional që do të përfshinte Cavanin dhe Hazard. Për teknikun e Bluve të Londrës, Eden konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të skuadrës dhe gjithçka do të ndërtohet rreth tij.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





