Transmetuar më 24-02-2014, 10:35

Tiranë, 24 shkurt 2014, NOA.al-  Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim organizon një takim të nivelit të lartë me temë  “Investimi në Ballkanin Perëndimor”.

Në takimin e nivelit të lartë të BERZH-it merr pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

Gjatë fjalimit të tij  kryeministri i Shqipërisë Edi Rama theksoi vendosmërinë e qeverisë së tij për tu shndërruar në partner për këdo që do të investojë në vendin tonë.

“Do të doja të ftoja të gjithë ju të vini dhe të shikoni se ne e kemi të rëndësishëm biznesin. Qeveria do të jetë partnere për të gjithë ata që bëjnë biznes në Shqipëri. Klima e biznesit meriton një vëmendje të veçantë. Reforma në klimën e biznesit është një projekt afatgjatë të cilën po e nisim me BERZH, duke bërë që zëri i biznesit të dëgjohet për të zbatuar politikat.”- u shpreh Rama.

Rama tha se, modelit të vjetër ekonomik i ka kaluar koha dhe tashmë kërkohet model i ri në terma praktike.

Kryeministri Rama shprehu gjithashtu angazhimin e plotë të qeverisë që drejton për integrimin e vendit, zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm e rritjen e punësimit.

“Do të jemi të hapur për këshilla, suksesi nuk vjen nga një plan i mirë, por nga mundësia për të bërë përmirësime. Ne duam të punojmë me të gjithë partneret. Vetëm jemi të dobët, por së bashku mund të jemi shumë të fortë. Do të jemi shumë më të mirë nesër dhe pasnesër.”- u shpreh kryeministri Rama.

Qëllimi i forumit është që të nxjerrë në pah investimet e mundshme dhe mundësitë e të bërit biznes në rajon dhe për të nxitur investimet dhe projektet direkte.

Konferenca ofron një mundësi unike për shkëmbimin e pikëpamjeve për të kapërcyer hendekun midis angazhimit politik dhe projekteve reale rajonale.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit