
Tiranë, 23 shkurt 2014, NOA.al- Partia Demokratike nëpërmjet një deklarate për shtyp të zëdhënëses Laura Vorpsi i quajti qesharake dhe fyese qëndrimet e Ministrit Veliaj ndaj punës së okulistëve.
Në deklaratën e saj zëdhënësja Vorpsi u shpreh se, “Ministri Shpëtimtar Veliaj, doli fiasko në misionin e fundit të bamirësisë, duke bërë një akt, dhe një deklaratë që ka fyer komunitetin e mjekëve në vend. Ministri Veliaj, thotë se për herë të parë, dhe vetëm në një spital privat në vend, është bërë një transplant i korneas në sy, dhe sigurisht ai vetë ka meritën kryesore për mundësinë që i dha një pacienti”.
Sipas Vorpsit, mjekët okulistë, e akuzojnë Ministrin se ka gënjyer, duke qenë se kjo lloj
ndërhyrje sipas tyre, ka 20 vite që bëhet.
“Mjekët okulistë, i kërkojnë Ministrit të kërkojë falje, pasi ka fyer mundin dhe përpjekjet e tyre të shumë viteve në këtë drejtim. Mjekët okulistë, i bëjnë thirrje Ministrit të bëjë detyrën, dhe si anëtar qeverie të realizojë ato reforma për të cilat shëndetësia ka nevojë”, u shpreh zëdhënësja e PD.
Partia Demokratike, i kërkon një prej ministrave më qesharakë të kësaj qeverie, Shpëtimtar Veliajt, që t’u kërkojë ndjesë mjekëve dhe të qëndrojë brenda fushës që
mbulon.
Ekspedita e tij e fundit në shëndetësi, – tha Vorpsi, – solli shumë probleme, ne i kujtojmë z.Veliaj, autorit të fabulës së Griseldës, se ka ardhur koha të tregojë seriozitet, e të shërohet vetë së pari nga sindroma e vitit zero.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





