
Tiranë, 23 shkurt 2014, NOA.al- Partia Demokratike denoncoi sot skandalin e emërimit në polici të personave, të cilët janë trafikant droge dhe kanë lidhje me ministrin Tahiri. Deputeti i PD-së Flamur Noka gjatë një komunikimi me mediat deklaroi se, “çdo ditë dalin fakte të reja të përfshirjes së personave të dyshimtë dhe me lidhje kriminale, në Policinë e Shtetit”.
Duke marrë shkas nga arrestimet e fundit të policisë në Gjirokastër, deputeti Noka tha se, “i ndaluari i djeshëm nga Policia e Gjirokastrës me një ton marijuanë, me destinacion Italinë, është një punonjës i Policisë së Shtetit, i emëruar nga rilindja, me precedent penal, dhe njeri i afërt i Ministrit të Brendshëm. I ndaluari i djeshëm, banor i kombinatit njihet për raportet e ngushta që ka me Tahirin, veçanërisht në fushatën e fundit elektorale, ku shërbente edhe si shoqërues i Ministrit të Brendshëm”.
Duke përgëzuar forcat e Policisë së Gjirokastrës për aksionin e djeshëm, Noka tha se, PD denoncon edhe një herë rilindjen në Policinë e Shtetit të personave të lidhur me krimin dhe me trafikun e drogës.
“Sasia e frikshme e drogës e kapur dje, dhe mënyra e maskimit të njeriut të afërt të z.Tahiri, tregon qartë se me Rilindjen në vendin tonë, linjat e trafikut të drogës të lidhura direkt me ministrin janë vendosur, dhe se ky mekanizëm, vërteton edhe një herë shqetësimin e autoriteteve italiane dhe greke për sasinë e marramendëse të drogës që po mbërrin nga Shqipëria në shtetet fqinje”, u shpreh deputeti i PD.
Në emër të opozitës, Noka i kërkoi Ministrit të Brendshëm t’i tregojë publikut marrëdhëniet që ka me Ardian Serezin dhe kur është takuar për herë të fundit me të.
Gjithahstu PD, i kërkon Ministrit të Brendshëm, t’i tregojë qytetarëve, se kush janë kriteret që janë ndjekur për punësimin në Policinë e Shtetit, të trafikantit të drogës, një prej çunave të tij në Kombinat. /e.gj/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





