Transmetuar më 23-02-2014, 12:28

Tiranë, 23 shkurt 2014, NOA.al-  Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi akuzoi qeverinë se po mban peng mos botimin në Fletoren Zyrtare, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli si antikushtetues Aktin Normativ për nëpunësin civil.

Nëpërmjet një deklarate për mediat deputeti Bylykbashi u shpreh se Gjykata Kushtetuese e ka zbardhur këtë vendim që me datën 5 shkurt  dhe sipas kushtetutës vendimi hyn në fuqi pasi botohet në Fletoren Zyrtare. “Ligji detyron Qendrën e Botimeve Zyrtare ta botojë atë brenda 10 ditësh. Gjykata Kushtetuese e ka dërguar vendimin të zbardhur që në datë 5 Shkurt. Sot kanë kaluar 8 ditë nga skadimi i afatit më datë 15 shkurt, dhe vendimi vazhdon të mbahet peng me urdhër të Kryeministrit. Ndërkohë janë botuar akte me datë më të vonshme se vendimi i Gjykatës”, u shpreh Bylykbashi.

Sipas tij, qëllimi i vetëm është që ky vendim të mos marrë fuqi deri sa mazhoranca të miratojë ligjin që anulon vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që mijëra vetë janë larguar nga puna në mënyrë antikushtetuese, qeveria vazhdon me largimet e paligjshme me pretendimin se vendimi i Gjykatës nuk ka hyrë në fuqi.

“Kjo është një pengmarrje mafioze e shtetit, Kushtetutës, ligjit dhe gjykatës nga Kryeministri Rama. Ky akt është përdhosja më e rëndë ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqësorit në përgjithësi. Kjo pengmarrje e vendimit të gjykatës është pengim i zbatimit të vendimit të gjykatës. Kjo përbën vepër penale dhe dënohet nga Kodi Penal. Përgjegjësi direkt për këtë mban drejtoresha e Qendrës së Botimeve Zyrtare dhe Ministri i Drejtësisë që e ka në varësi. Përgjegjësi mban Kryeministri dhe qeveria e tij që janë dirigjentët e këtij skenari të shëmtuar anti-ligjor e anti-kushtetues në realizimin e planit të tyre për ta vënë administratën nën kontroll partiak”, deklaroi deputeti i PD.

Gjithashtu në emër të Partisë Demokratike i siguroi personat përgjegjës, por dhe urdhëruesit e tyre se PD do të kërkojë deri në fund drejtësi për këtë skandal të paprecedent. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit