
Zagreb, 22 shkurt 2014, NOA.al- Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në vijim të vizitës së tij në Kroaci, është pritur në takim nga Presidenti i këtij vendi, Ivo Josipoviç.
Gjatë takimit Hoxhaj e ka falenderuar Josipoviç për përkrahjen e vazhdueshme të Kroacisë si dhe e ka njoftuar lidhur me zhvillimet dhe progresin në Kosovë, ndërsa janë ndalur në bashkëpunimin edhe më intensivisht në sferën e ekonomisë dhe tregtisë.
“Kisha një takim shumë të mirë me presidentin Josipoviç. Presidenti kroat është një mik i madh i Kosovës ndërsa dihet që Kroacia dhe Kosova kanë një bashkëpunim pothuajse historik për disa dekada me radhë, mirëpo pas anëtarësimit të Kroacisë në BE dhe pas konsolidimit të shtetit tonë të pavarur dhe sovran shtrohet pyetja se si të kemi një partneritet më strategjik ndërmjet vendeve tona. Nga presidenti kroat mora mbështetje të plotë që Kroacia do ta mbështet Kosovën në axhendën integruese evropiane, në anëtarësimin në organizata dhe investitorët kroatë do të jenë më të pranishëm në Kosovë”, tha Hoxhaj në përfundim të takimit.
Nga ana e tij, presidenti kroat ka konfirmuar mbështetjen e vendit të tij, duke thënë se Kroacia është në anën e Kosovës dhe do të jetë zë i fuqishëm në organizatat rajonale, evropiane e botërore./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





