
Tiranë, 22 shkurt 2014, NOA.al- Ish-ministri i Financave, aktualisht deputet i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, ka analizuar treguesit fiskalë të vitit 2013 si dhe trendin e ekonomisë shqiptare për vitin 2014.
Në fjalën e tij Bode tha se në të vërtetë shifrat e konsoliduara të buxhetit flasin për një trend tërësisht ndryshe nga ai i reklamuar dhe publikuar nga qeveria.
Sipas tij, të ardhurat e përgjithshme të buxhetit për vitin 2013 arritën në 328.6 miliardë lekë duke qenë rreth 1.8 miliardë lekë më pak ose 0.5 % më pak nga fakti i vitit 2012, dhe duke pasur një tejkalim me planin tepër të reduktuar me të cilën eci qeveria për tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Ai shtoi se me këtë nivel të realizimit të të ardhurave niveli në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto arrin në minimum, dhe rendimenti i të ardhurave në buxhet në këto nivele minimale, barazohet me vitin 2004.
“Nga ana tjetër, shpenzimet e përgjithshme të buxhetit të shtetit arritën në 394 miliardë lekë duke qenë 17.8 miliardë lekë më shumë në krahasim me një vit më parë ose rreth 5 % më shumë sesa fakti i vitit 2012. Ato janë nën nivelin e programuar, qoftë edhe në aktin e dytë normativ të qeverisë, dhe shkaku i rritje së shpenzimeve të përgjithshme në krahasim me një vit më parë dhe rënies të së ardhurave të përgjithshme në krahasim po një vit më parë, është burimi kryesor i rritjes së deficitit dhe borxhit publik. Por qeveria nuk pranon dhe nuk ka pranuar që të diskutojë e të analizojë në mënyrë integrale vitin 2013. Këtu ne kemi paraqitur të ardhurat në tremujorin e katërt të 2013 ku qeveria ka pranuar se është përgjegjëse për ecurinë, dhe përtej “sukseseve”, siç shihet në tabelë të ardhurat nga një konsolidim që kanë pasur një vit më parë me një tendencë rritje të qëndrueshme, siç e shikoni filluan si dhëmbët e sharrës ku në muajin nëntor patën një rënie në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në muajin dhjetor duket një rritje, një tejkalim”, u shpreh Bode.
Ai theksoi se Qeveria, edhe pse në vitin 2014 ka programuar një rritje të të ardhurave në buxhet me rreth 18 %, në muajin janar ka programuar të ardhura më të ulëta nga fakti i vitit 2013 me po 2%, fundi i muajit janar, “sukseset” që shet qeveria për tejkalim të të ardhurave, të dhënat flasin për një performancë më të dobët në krahasim me janarin e një viti më parë 2013.
Në vijim ai tha se Qeveria rriti nivelin e huamarrjes me një sërë pretendimesh ku u përqendrua në 3 çështje, ku çështja e parë kishte të bënte me pagimin e faturave të investimeve të prapambetura, çështja e dytë se do të merrte një hua të madhe ishte rimbursimi i detyrimeve që ka ndaj biznesit, çështja e tretë me të cilën qeveria kërkoi të justifikojë rritjen e borxhit ishte shlyerja e detyrimeve ndaj pagesave për ndihmën ekonomike, papunësinë dhe aftësinë e kufizuar të individëve.
Por Bode theksoi se nga 4.8 miliardë që janë shlyer në vitin 2012 për këtë kategori përfituesish, ajo ka zbritur në 4.4 miliardë lekë.
Në këtë linjë ai shtoi se, “Kështu që gjithçka që u tha për rritjen e borxhit dhe deficitit, marrjen e një huaje të re nga sistemi bankar për të përballuar këto 3 elementë siç na u deklarua nga qeveria si përgjegjësi e qeverisë së mëparshme, rezulton që të tre të jenë nën nivelin e vitit 2012 dhe e gjithë huaja e marrë nga qeveria u destinua për qëllime të tjera. Pra jo vetëm që u morën 120 milionë dollarë më shumë hua në krahasim me vitin 2012 brenda një tremujori, por nga ana tjetër u paguan më pak për ato objektiva të shprehura nga qeveria rreth 100 milionë dollarë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar viti 2012”.
Bode u ndal më tej në investimet e huaja direkte, duke nënvizuar se në qoftë se periudha 9 mujore pati rreth 700 milionë euro investimeve të huaja direkte në ekonominë shqiptare, tendenca e tremujorit të fundit flet për nivele tepër të ulëta krahasuar me trendin historik të investimeve të huaja në ekonominë shqiptare, çka sipas tij është një dëshmi për rënien e besimit dhe krebilitetit të qeverisë aktuale në raport me investitorët e huaj dhe qëndrimet e tyre kaotike për prishjen tërësisht të kontratave, mungesa e sigurisë për investitorët dhe mungesa e orientimeve dhe strategjive të qarta për të mbështetur rritjen e ekonomisë.
Në mbyllje të fjalës së tij ish-ministri i Financave deklaroi se ekonomia shqiptare në tërësi mbetet pa burimet e financimit të saj dhe qeveria po fut vendin drejt një rrënimi të shpejtë ekonomik dhe një recesion për vitin 2014./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





