Transmetuar më 22-02-2014, 12:51

Larg prej pozicioneve që vlejnë në Serinë A, i eliminuar nga Kupa e Italisë dhe me një këmbë jashtë Champions League, kuqezinjtë marrin dhe një tjetër goditje të rëndë, citon Supersport.

Në vitet e vështira, tifozët kanë gjetur ngushëllim duke kujtuar se Milani është skuadra më e titulluar në botë, duke u krenuar me 18 titujt ndërkombëtarë, i fundit i fituar në 2007 në Kupën e Botës për klube, por tani edhe këtë nuk mund ta bëjnë.

Milani nuk është më skuadra me më shumë tituj ndërkombëtarë në botë, dhe fraza “skuadra më e titulluar në botë”, që është stampuar edhe me një shkrim në fanellë tashmë duhet hequr.

Kryesimin në klasifikimin special kuqezinjve nuk ua ka marrë Boca Juniors, por egjiptianët e Al Ahly, që shtuan në arkivin e tyre trofeun e 19 ndërkombëtar falë suksesit 3-2 ndaj tunizianëve te Sfaxien në ndeshjet që vlente për Super Kupën Afrikane.

Tashmë Al Ahly ka një trofe më tepër se Boca Juniors, dhe Milan falë historisë së tyre të suksesit që rregjistron 6 Champions afrikane, 1 Kupë Interkontinentale Afrikë-Azi, 4 Kupa të Kupave të Afrikës dhe 6 Superkupa të Afrikës.

Në ndjekje të tyre pas Milanit e Bocas janë dhe Indipendiente me 16 trofe, Reali i Madridit me 15 dhe Barcelona me 14 tituj ndërkombëtarë.

Për tu rikthyer në krye të klasifikimit të veçantë në të ardhmen e afërt, Milani ka vetëm një mundësi, të fitojë Champions League dhe Superkupën pasardhëse të Europës.

Një mision që duke parë ecurinë e këtij viti të skuadrës së drejtuar nga Clarence Seedorf, duket vërtet në kufijtë e të pamundurës.

Tifozëve nuk ju mbetet veçse të ngushëllohen duke kujtuar atë që mbetet një palmarës ndërkombëtar për tu admiruar, 7 Champions League, Dy Kupa të Kupave, 5 Superkupa të Europës, 3 kupa interkontinentale dhe një botëror për klubet.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit