
Durrës, 22 shkurt 2014, NOA.al- Dy pedagogë dhe dy studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë përfunduar në prangat e policisë nën akuzën e korrupsionit.
Nga të dhënat paraprake siç raporton Noa.al, mësohet se pedagogët e arrestuar janë Odeta Tota dhe Erind Sina, të cilët u merrnin studentëve nga 150 deri në 200 mijë lekë për provim.
Gjithashtu në pranga përfunduan edhe dy studentët Merushe Boçeri dhe Eralda Lika, të cilët dyshohet se shërbenin si ndërmjetës mes studentëve dhe pedagogëve për marrjen e lekëve.
Lidhur me këtë rast materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për veprën penale të korrupsionit./a.y/noa.al/
Reagimi i Universitetit të Durrësit
Universiteti i Durrësit ka reaguar në lidhje me arrestimin dy pedagogëve të Fakultetit të studimeve profesionale, duke u distancuar nga veprime të tilla.
“Njoftimin për arrestimin e 2 pedagogeve të Fakultetit të studimeve Profesionale me akuzën për mitmarrje e morëm nga media dhe nuk jemi në dijeni për detaje të tjera. Në emër të stafit akademik Departamentit të Mjekësisë dhe të Fakultetit të Studimeve Profesionale distancohemi plotësisht nga aktivitete dhe veprime të tilla, të cilat janë veprime individuale dhe mbajnë përgjegjësi personale sipas ligjit. Ju bëjmë me dije se procedura e zhvillimit të provimeve bëhet vetëm me shkrim, konform rregullores së UAMD-së dhe të Fakultetit, ku në provim përveç pedagogut të lëndës, qëndron edhe një pedagog tjetër asistues. Korrigjimi i provimeve bëhet sipas rregullores së UAMD-së nga pedagogu përkatës. Kemi bindjen që veprimet indivduale të ndonjë pjesëtari të stafit tonë nuk mund ta zbehin apo dëmtojnë punën e jashtëzakonshme të Departamentit dhe të Fakultetit të Studimeve Profesionale”, thuhet në reagimin e Universitetit./a.s/noa.al/
Qëndrimi i policisë së Durrësit lidhur me arrestimin e pedagogëve:
Orët e para te ditës se sotme, datë 22.02.2014, Seksioni Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës në bashkëpunim me Drejtorinë e Krimit Ekonomik dhe Financiar dhe Drejtorinë e Forcës së Posacme prane Drejtorisë se Përgjithshme të Policisë se Shtetit finalizuan me sukses operacionin e koduar “MASTER”.
Bazuar ne te dhenat dhe provat e grumbulluara pergjate hetimit Gjykata e Rrethit Durrës me vendime date 21.022014 ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest ne burg” për shtetasit e meposhtem:
-Endri Sina, 32 vjec, banues në Tiranë, i punesuar si Pedagog në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durres, Fakulteti i Infermierisë.
-Odeta Tota, 40 vjece. banuese ne Tiranë, Pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, Fakulteti i Infermierisë.
-Eralda Lika, 21 vjece, banuese në Kavajë, studente në Fakultetin e Infermerisë pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës.
-Merushe Buceri, 39 vjece, banuese në Durrës, studente në Fakultetin e Infermierisë pranë Universitetit Aleksandër Moisiu Durrës.
Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë edhe për nje tjeter student te Fakultetit te Infermierise prane Universitetit “Aleksandër Moisiu”.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorine e Rrethit Durrës, pas një hetimi dy mujor ka ngritur akuzat për veprat penale “Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 259, 245/2 dhe 25 Kodit Penal, pasi dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha të ndryshme kanë favorizuar studentë të këtij fakulteti në provimet e detyrueshme, kundrejt përfitimeve të paligjshme.
Keshtu përgjatë hetimeve u arrit të provohet me prova ligjore se per cdo provim pedagogët përfitonin si rryshfet nga çdo student shuma parash qe shkonin deri në 15.000 lekë të rinj. Provimet e dhena me pas nga studentet e Infermierise korrigjoheshin nga vete studentet e akuzuar dhe vleresimi behej ne vartesi te shumes se dhene rryshfet nga studenti. Materialet iu kaluan Prokurorisë Durrës për veprime të mëtejshme.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





