Transmetuar më 21-02-2014, 16:23

Tiranë, 21 shkurt 2014, NOA.al- Pas shkarkimit nga parlamenti të Zana Xhukës nga posti i ILDKP-së, ka ardhur edhe reagimi zyrtarë i Partisë Demokratike. Kryetari i grupit parlamentarë të PD-së Edi Paloka, nëpërmjet një deklarate për shtyp u shpreh se, shkarkimi i Kreut të ILDKP-së është një akt antikushtetues dhe se me këtë vendim mazhoranca po rrëzon çdo ditë institucionet e shtetit. PD, paralajmëron se nëse mazhoranca do të vijojë me qëndrime të tilla antikushtetuese, opozita do të rishohë qëndrimin e saj në parlament.

“Dje, Parlamenti shkarkoi në shkelje të të gjithë procedurave, të Kushtetutës dhe të ligjit, kryetaren e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, zonjën Zana Xhuka. Është rast i paprecedentë në çdo vend demokratik të botës, por edhe në Shqipëri, që një

parlament, një legjislaturë e ardhshme, të hedhë poshtë vendimet që ka marrë parlamenti paraardhës. Ky votim nuk kishte thjeshtë synim vetëm atë që tashmë është bërë linjë

e kësaj maxhorance, sulm ndaj institucioneve të pavarura, por kishte brenda dhe një hakmarrje personale të kryeministrit Rama”, tha Paloka.

Më tej ai informoi se opozita, dje në parlament, publikoi korenspondencën që kryeministri aktual Rama kishte pasur me kryeinspektoren, lidhur me kërkesën ligjore të bërë prej saj ndaj Ramës, dhe përgjigjes krejtësisht jo vetëm në kundërshtim me ligjin, por dhe një përgjigje të mbushur me kërcënime e abuzive ndaj kërkesës ligjore të zonjës Xhuka, që i kishte bërë z Rama për të deklaruar, për të bërë transparencë si detyrim ligjor, lidhur me pallatin e ndërtuar prej bashkëshortes së tij apo edhe për pasuritë e tjera, për të cilat deri më sot Rama akoma nuk ka deklaruar askund se me çfarë parash janë vënë.

“Kemi një hakmarrje të verbër dhe personale ndaj zonjës Xhuka dhe një sulm ndaj institucioneve të pavarura, institucione të ngritura me ligj, në bazë të Kushtetutës së këtij vendi. Me atë që ndodhi dje në Parlament mund të presim që kjo maxhorancë të hedhë në tokë e të rrëzojë të gjithë shtetin. Pasi me ato “argumente” që ata përdorën dje, duhet që të fillojnë e të shkarkojnë të gjithë gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, gjykatësit e Gjykatës së Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm, Shefin e Shërbimit Informativ, Presidentin e Republikës dhe çdo institucion tjetër kushtetues apo të pavarur që ka votuar Parlamenti i kaluar”, tha kreu i grupit të PD-së.

"Në këto kushte, kur kjo maxhorancë po e bën Parlamentin Shqiptar të pa qenë, në këto kushte kur opozita dhe populli shqiptar injorohen dhe përbuzen në këtë mënyrë, në emër të PD", deklaroi Paloka, – Grupi Parlamentar do të rishohë qëndrimin e tij  ndaj Parlamentit Shqiptar. /e.gj/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit