
Admirim dhe vlerësim maksimal për Manuel Neuer. Për presidentin e Bayernit të Mynihut, Uli Hoeness ka vetëm elozhe në adresë të heroit të portës bavareze, sidomos pas paraqitjes fantastike të tij në fitoren 2-0 kundër Arsenalit në Champions League.
Gardiani 27-vjeçar neutralizoi një penallti të Mesut Ozil, eliminoi pa rrezik disa raste të tjera, ndërsa impresionoi edhe me pasime të sakta, citon Supersport.
“Ato që po bën Neuer pa dyshim që e vendosin atë në shkallën më të lartë. Nuk ka një çmim për këtë lojtar.
Portieri jonë nuk qëndron i fokusuar vetëm te kuadrati që ka përpara dhe disa njerëz duket se e harrojnë diçka të tillë. Eshtë vetëm çështje kohe, kur ta shikojmë Neuer një ditë duke luajtur në gjysmën e fushës së kundërshtarit.
Mbrojtësit tanë kanë siguri kur e kthejnë topin në portë dhe Neuer në mënyrë perfekte me të dyja këmbët mund ta pasojë më pas te lojtarë të tjerë”.
Kartoni i kuq për portierin e Arsenalit, i shoqëruar me penallti, është një episod nga takimi i të mërkurës që ka ndezur edhe njëherë debatin për rregullin e ndëshkimit të 3-fishtë.
Duke mbështetur opinionin e Neuer por jo vetëm, presidenti Hoeness bëri thirrje që kjo pikë e rregullores të rishikohet dhe të ndryshohet.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





