
Tiranë, 21 shkurt 2014, NOA.al- Presidenti Bujar Nishani priti sot në një takim zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Evangjelos Venizelos, i cili ndodhet për një vizitë në Shqipëri, në kuadër të mbajtjes së Presidencës greke në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit, Nishani tha se integrimi në BE përbën një interes kombëtar strategjik për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe e siguroi Venizelos për vendosmërinë e institucioneve dhe shoqërisë shqiptare në vazhdimin e reformave të nevojshme për arritjen e standardeve, duke nënvizuar gjithashtu angazhimin për bashkëpunim të plotë me Presidencën greke dhe gjithë institucionet e partnerët evropianë në synimin e përbashkët për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Më tej, Presidenti shprehu besimin në angazhimin e Presidencës greke për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në qershor 2014, ndërsa vlerësoi lart objektivat e Presidencës greke dhe, në mënyrë të veçantë, bashkëpunimin e Greqisë dhe Italisë për shpalljen e vitit 2014, “Vitin e Mesdheut”.
Në vijim Presidenti u shpreh optimist në një afrim dhe zhvillim të shpejtë të bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy vendeve dhe popujve, bazuar në vullnetin dhe angazhimin praktik konkret për zgjidhjen e çështjeve të hapura, si edhe në objektivat e përbashkëta.
Nga ana e tij, Venizelos tha se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe se Greqia do të vazhdojë mbështetjen e saj dhe përpjekjet diplomatike me partnerët evropianë që Shqipëria ta arrijë këtë objektiv në qershor.
Kryediplomati grek nënvizoi se midis dy vendeve ka arsye historike e sociale dhe një bazë ekonomike solide për forcimin e marrëdhënieve, ndërsa mbetet që politikanët të vazhdojnë të zbatojnë politikat e duhura në mbështetje të zhvillimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





