
Tiranë, 21 shkurt 2014, NOA.al- Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati priti në takim zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Greqisë Evangelos Venizelos, ku u vlerësua bashkëpunimi mes dy vendeve.
Në konferencën e mbajtur në përfundim të takimit, ministri Bushati tha se u diskutuan për çështje që ende nuk kanë marrë rrugën e zgjidhjes.
Ai theksoi se janë identifikuar çështjet që kërkojnë zgjidhje dhe është arritur në përfundimin se e drejta ndërkombëtare është pikë e qartë referimi jo vetëm për adresimin e këtyre çështjeve por edhe për të forcuar më tej marrëdhëniet mes dy popujve.
“Informoj opinionin publik kemi gjetur variantin e përafërt në parim për zgjidhjen e çështjes së toponimeve, një çështje e karakterit të qartë teknik, dhe si një çështje për sa na takon do të adresohet në përputhje me standardet ndërkombëtare të aplikueshme në këtë fushë, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë që do të përkthehet në nivel teknik në marrëveshje”, u shpreh Bushati.
Në vijim kryediplomati shqiptar theksoi se është rënë në ujdi që me qeverinë greke që të aktivizohen disa komisione të cilat burojnë nga traktati i miqësisë i cili është kuadri rregullator mes dy vendeve, lidhur me çështje që kanë të bëjnë me problematike që do të diskutohen dhe trajtohen nga komisione përkatëse me frymë mirëkuptimi.
Gjithashtu Bushati tha se është vendosur një plan i përgjithshëm për një proces konsultimesh dhe diskutimesh jo vetëm në takime të nivele të larta, por përmes një procesi konsultimesh që do të çojnë drejt zgjidhjeve të plota për çështje të cilat ende nuk kanë marrë adresimin e duhur.
Në mbyllje të fjalës së tij ministri shqiptar e uroi homologun grek për drejtim të mbarë të Këshillit të Bahskimit Europian.
Nga ana e tij Venizelos përsëriti edhe njëherë mbështetjen e Greqisë lidhur me integrimin, ndërsa shtoi se synim i presidencës greke është që Shqipërisë ti jepet statusi i vendit kandidat për në Bashkimin Europian, brenda fundit të 6 mujorit të presidencës greke.
Po ashtu ai deklaroi se Greqia ishte pro statusit qysh në muajin dhjetor dhe të dyja vendet të vendosura punuan së bashku në këtë drejtim.
Diplomati grek tha se do të jepen zgjidhje përfundimtare dhe të shpejta për gjithë çështjet e mbetura pezull, duke pasur si bosht kryesor respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Lidhur me çështjen e toponimeve, Venizelos u shpreh se, “Nuk ka dimension politik, asnjë paragjykim por ka respekt të plotë për sa i përket sovranitetit territorial dhe marrëdhënieve dypalëshe. Kemi një bazë të shëndoshë politike dhe do zgjidhim problemet teknike sipas të drejtës ndërkombëtare dhe praktikës ndërkombëtare. Gjithashtu do të ketë zgjidhje të shpejtë, të plotë dhe të zbatueshme për gjitha çështjet që kanë të bëjnë me fqinjësinë e dy vendeve tona si për anën tokësore edhe për ato detare. Jemi dy vende anëtare të NATO, aleatë dhe miq, dy vende me lidhje strategjike”./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





