Transmetuar më 21-02-2014, 01:18

Një fatkeqësi e rëndë ka goditur një familje shqiptare (foto) në veri të Italisë, që ka tronditur gjithë komunitetin shqiptar. Elivia, një vogëlushe 30 muajshe, ka vdekur pak ditë më parë në Spitalin e Pordenones.

Paraditen e 14 shkurtit, vogëlushja (foto 2) ishte operuar në gojë, ku i kishin hequr një cist në gjuhë që mund t’i vështirësonte gëlltitjen. Mjekët i kishin garantuar prindërit e vajzës, Elvana dhe Endrit Prendi, duke u pohuar se ndërhyrja ishte diçka rutinë, pa asnjë lloj rreziku për vogëlushen. Por tashmë ata nuk dinë të thonë çfarë e shkaktoi vdekjen e vajzës.

Sipas mediave në Itali, vogëlushja ishte shtruar në Spitalin e Pordenones, ku ndërhyrja kirurgjikale zgjati një orë e gjysmë, pa asnjë komplikim. Të nesërmen pas ndërhyrjes, ajo u çua në repartin e reanimacionit, siç parashikon protokolli mjekësor, për t’u mbajtur nën kontroll për 24 orë.

Por, vogëlushja ka pasur një ngadalësim të rrahjeve të zemrës e më pas ka shkuar në arrest kardiak. Pasi janë përpjekur ta sjellin sërish në jetë për një orë e gjysmë, mjekët u kanë dhënë prindërve lajmin e hidhur, pa ditur t’u shpjegojnë arsyet. Sipas mjekëve, në fazën pas operacionit nuk kishte pasur asnjë sinjal alarmues për të parashikuar fatkeqësinë.

Të shkatërruar nga dhimbja për humbjen e vajzës së tyre të vetme, çifti Prendi ka paditur dje Spitalin në Prokurorinë e qytetit, që ka kërkuar të bëhet autopsia dhe të dorëzohen kartelat klinike të vogëlushes.

Raporti paraprak i autopsisë nuk jep asnjë orientim mbi shkaqet e vdekjes. Për të pasur ndonjë element më shumë, sipas mjekëve ligjorë, duhet pritur 60 ditë, periudhë e nevojshme për analizat toksikologjike dhe istologjike.

Avokati i familjes Prendi, Silvio Albanese, ka paraqitur kërkesë për të siguruar imazhet e telekamerave të repartit të reanimacionit, të cilat mund të zbardhin atë çka ndodhi në orët që vogëlushja ka qenë e shtruar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit