
Nga Reis Çiço
23 qershori i vitit 2013 do të mbetet në analet e historisë të PD, si një humbje me përmasa tronditëse. Të humbasësh zgjedhjet është një akt normal në demokraci, por mënyra se si i humbi ato PD-ja përbën një shqetësim shumë serioz. Me të drejtë anëtarët, simpatizantët dhe mbështetësit e PD-së presin versionin zyrtar të drejtuesve të kësaj force politike. Çfarë ndodhi, si ndodhi, pse ndodhi, përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve janë jo vetëm detyrim ndaj elektoratit, por dhe një mësim për të ardhmen. Partia Demokratike dhe mbështetësit e saj vazhdojnë të jenë nën efektin traumatik të humbjes, megjithëse ka nisur puna për të bërë zgjedhjet në të gjitha strukturat e partisë, dhe analizën e domosdoshme të 23 qershorit. Nëntë muaj pas humbjes, dy gjëra të rëndësishme kanë ndodhur në PD: Sali Berisha, përmes një akti shumë elegant dhe europian dha dorëheqjen, dhe mori përsipër të gjitha përgjegjësitë e humbjes. Ky gjest i Sali Berishës shkaktoi jo pak habi brenda dhe jashtë Shqipërisë, pasi shumë skeptikë apo kundërshtarë nuk e prisnin një lëvizje të tillë. Por të shokuar mbetën edhe militantët e PD-së, dorëheqja e Berishës ishte goditja e dytë pas humbjes.
Akti i dytë për t’u shënuar është zgjedhja e kryetarit të ri të PD, Lulzim Basha.
Kryetari i ri e mori drejtimin e partisë në momentin më të keq të saj. Vërtet Berisha dha dorëheqjen, por ministrat e të tjerë u fshehën, u strukën, nuk patën kurajë të ballafaqoheshin me militantët në zonat e tyre, nuk patën kurajë të merrnin përsipër atë që iu takon, të jepnin versionin e tyre të humbjes dhe të mbanin përgjegjësitë. Ndërkohë që elektorati i djathtë ishte i hutuar dhe i çorientuar nga ajo që ndodhi.
Deri sa të kryhen zgjedhjet në të gjitha nivelet në PD, z. Basha duhet të punojë me ekipin që gjeti, ndaj dhe vështirësitë janë jo të vogla. Jo të gjithë në kupolën e partisë e duan dhe e respektojnë atë si kryetar. Njëzet e tre vjetori i themelimit të PD i dha rastin Bashës të shkojë nga veriu në jug, jo shumë për të festuar këtë përvjetor, sesa për të prekur nga afër realitetin dhe bazën e partisë. Kryetari i ri kudo që shkoi u prit mjaft ngrohtë dhe mesazhet e tij ishin të sinqerta, plot shpresë dhe vendosmëri drejt ringritjes. Këto takime rezultuan lëvizje shumë inteligjente të Bashës, dhe i shërbejnë atij për krijimin e marrëdhënieve të domosdoshme me popullin opozitar, si dhe përvijimin dhe konsolidimin e profilit të liderit.
Me Berishën në krah të dorëhequr, por shumë aktiv, sigurisht që rruga e Bashës drejt konsolidimit si lider ka një tjetër vështirësi objektive, kjo për shkak të nostalgjisë që është një fenomen human krejt normal. Në pozitat e Bashës ka qenë dhe Kancelarja Merkel kur mori drejtimin e CDU-së, dhe në krah kishte ish-kryetarin e partisë dhe ish-kancelarin e famshëm që bashkoi Gjermaninë, Helmut Kohl.
Bota lëviz me shpejtësi marramendëse, dhe PD-ja ka nevojë të përshtatet me këtë realitet të vrullshëm. Basha është figura e transformimit, ai ka detyrën dhe përgjegjësinë e ringritjes të Partisë Demokratike mbi ato vlera që kjo parti u themelua, dhe t’i zhvillojë ato më tej, në përputhje me zhvillimet moderne të kohës. Historia e disa partive të mëdha europiane na mëson, se ato që nuk u përshtatën me ndryshimet, që nuk lëvizën me ritmin e kohës, jo vetëm u tkurrën, por dolën nga skena politike.
Në procesin e vështirë të ringritjes, një moment delikat për kryetarin Basha do të jetë riformatimi i partisë ku natyrshëm lindin disa pyetje: Si do të veprojë Kryetari i ri me profilet e larta si Jozefina Topalli, Ridvan Bode etj? Si do të harmonizojë prurjet e reja me të vjetrit? A do të vazhdojë Basha linjën e vjetër apo do ta modernizojë përmes një rruge të re? Këto pyetje dhe shumë të tjera presin përgjigje nga kryetari Basha.
Pas zgjedhjeve, nuk ka më kohë për të humbur, Basha dhe skuadra e tij duhet të ndërtojnë një opozitë moderne, të shkathët, inteligjente, ku të dominojnë faktet dhe argumentet, dhe të mos ndalet për asnjë çast komunikimi intensiv me publikun, e në mënyrë të veçantë të motivohen demokratët. Rikthimi i besimit është fondamental në procesin e ringritjes.
Partia Demokratike është një aset kombëtar, dhe duhet ngritur në lartësinë e emrit dhe kontributit brilant që ka në historinë post-komuniste dhe zhvillimet demokratike të vendit. Sfidat janë të mëdha, dhe Basha ka shansin historik të qëndrojë në nivelin e këtyre sfidave, e të demonstrojë se është Lider.
PD-ja e Bashës duhet të sjellë ajër të freskët në politikën shqiptare. /Gazeta Mapo/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





