Transmetuar më 24-02-2014, 16:20

Transmetuar më 21 shkurt 2014, 00:54/ Përditësuar më 24 shkurt 2014, 16:20

Vrau dhe dogji kufomat, “arrest me burg” për Odise Verbofshin

Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për 32 vjeçarin Odise Verbofshi, i akuzuar për krimin makabër të vrasjes së dyfishtë dhe djegies së dy kufomave në zonën e ish-Kënetës në Durrës.

Mësohet se gjatë seancës gjyqësore, Verbofshi ka kërkuar që të dënohet për atë që ka bërë duke u shprehur i penduar ndërsa ka thënë, “Kërkoj falje”.

Sakaq asnjë avokat nuk ka pranuar që të mbrojë Verbofshin, duke bërë që Gjykata e Durrësit të shprehet se do ti caktohet një avokat shteti.

32 vjeçari Verbofshi akuzohet për ekzekutimin me plumb në kokë të Albert Kasallës dhe Shaban Babasit dhe më tej djegien e kufomave të tyre, duke i futur në një makinë të cilës i ka vënë zjarrin në zonën e ish-Kënetës.

Nga hetimet e policisë thuhet se Verbofshi dhe viktimat ishin konfliktuar mes tyre për prishje të pazareve të drogës./a.y/noa.al/

17:52 – Dëshmia e Verbofshit përballë grupit hetimor

Pak momente më parë grupi hetimor ka dhënë detaje mbi dëshminë e Odise Verbofshit. Sipas policisë, në momentin e arrestimit ai ka qenë i tronditur dhe është vetëdorëzuar menjëherë pa bërë rezistencë, në momentin që ka parë uniformat blu.

Mësohet se ai është shprehur i penduar për krimin. Sipas burime të Noa.al, bëhet e ditur se Verbofshi ka deklaruar se ka shkuar në Poloskë nga frika e hakmarrjes. Ai ka dashur të shkonte në Greqi por nuk e ka bërë për shkak të frikës së policisë.

“Erdha në Bilisht nga frika e hakmarrjes. Doja të kaloja kufirin dhe të humbisja gjurmët. Jam penduar për krimin që bëra dhe do ta rrëfej në prani të avokatit”, tha Odise Verbofshi para grupit hetimor.

Verbofshi është shprehur përpara grupit hetimor se do të dëshmojë vrasjen dhe do të rrëfejë të gjithë ngjarjen vetëm në prani të avokatit të tij. /a.s/noa.al/

11: 35- Arrestohet Odise Verbofshi

Odise Verbofshi i akuzuar për vrasjen e dyfishtë në zonën e Kënetës në Durrës dhe për asgjësimin e kufomave të Shaban Babasit dhe Arben Kasallës duke i djegur brenda një makine, është arrestuar nga policia gjatë kohës që tentonte për të kaluar kufirin.

Verbofshi u ndalua në zonën e Bilishtit në Korçë, në afërsi të kufirit me shtetin grek.

Nga hetimet rezultoi se vrasja e dy shtetasve ka ndodhur brenda ambienteve të banesës së autorit në Shkozet, me armë zjarri pistoletë.

Paraprakisht dyshohet se motivi i kësaj ngjarje është prishja e pazarit lidhur me lëndën narkotike të llojit kanabis sativa.

18:41 – Arrestohet një djalë për asgjësim kufome

Në vijim të veprimeve procedurale lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Shkozet, sot më datë 21.02.2014, ora 18.30, u arrestua në flagrance një shtetas, i cili dyshohet të ketë bashkëvepruar me autorin ne asgjësimin e kufomave.

Konkretisht Gazep Pili, 20 vjeç, banor i lagjes Nr.15 Durres, person me lidhje gjaku me bashkëshorten e shtetasit Odise Verbofshi. Ky shtetas u arrestua për veprën penale të parashikuar nga neni 303 i Kodit Penal, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”. Materialet do t’i përcillen per ndjekje Prokurorisë se Rrethit Durrës.

18:23 – Policia flet zyrtarisht mbi ngjarjen

Më datë 20.02.2014, ora 22.07, morëm njoftim se në lagjen Nr.14 Durrës po digjej një automjet. Në vend u dërguan shërbime zjarrfikës të cilët bënë të mundur fikjen e zjarrit. U konstatua djegia e autoveturës Benz me targa AA930DJ; mjet brenda së cilit, në bagazhin dhe sediljen e pasme të tij, ndodheshin trupat e pajetë të dy shtetasve.

Grupi Hetimor filloi kryerjen e veprimeve të para. Nën drejtimin e drejtuesve të strukturave policore të Qarkut dhe Prokurorisë së Rrethit Durrës shërbime policie vijuan me hetime në vazhdim të së cilave u identifikuan kufomat e shtetasve sipas identiteteve të mëposhtme: 1-Shaban Babasi, 27 vjeç, banues në Fshat Fushë Krujë, i padënuar më parë. 2-Albert Kasalla, 32 vjeç, banues në Fshat Fushë Krujë, i padënuar më parë.

Lidhur me zbardhjen e rrethanave të ngjarjes u shoqëruan e pyetën në Polici 36 persona që kishin dijeni mbi hetimet në fjalë.

Puna intensive hetimore e ndërmarrë përgjatë gjithë natës dhe ditës së sotme çoi këtë strukturë drejt identifikimit të autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit Odise Verbofshi, 32 vjeç, banor i lagjes Nr.14 Shkozet Durrës, i padënuar më parë, i cili është shpallur në kërkim nga ana jonë dhe po me intensitet kanë vijuar e po kryhen kërkime për kapjen e tij.

Nga tërësia e veprimeve të para të ndërmarra nga struktura për Krimet e Rënda Durrës rezultoi se dy shtetasit në fjalë ishin vrare paraprakisht me armë zjarri dhe më pas ishin transportuar për t’u djegur nga autori i ngjarjes së bashku me automjetin në funksion të fshehjes së gjurmëve e provave.

Gjithashtu rezulton se vrasja e dy shtetasve ka ndodhur brenda ambienteve të banesës së autorit në Shkozet, me armë zjarri pistoletë.

Paraprakisht dyshohet se motivi i kësaj ngjarje është prishja e pazarit lidhur me lëndën narkotike të llojit Kanabis Sativa.

Krahas provave të tjera, në banesën ku ka ndodhur krimi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe: -74 kg Kanabis Sativa e ndarë në pako, e stivuar në rafte në ambientet e banesës -1 pistoletë e markës Ekol Special, e kalibrit 9 mm -1 pistoletë me krëhër, e markës Lady K Italy, e kalibrit 8 mm -1 krëhër pistolete me një fishek në të

Odise Verbofshi është shpallur në kërkim si i dyshuar për ngjarjen e rëndë, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose me shume personave”, “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Prodhim e shitje e lendeve narkotike” parashikuar nga nenet 79/dh, 25, 278/4 dhe 283/2 të Kodit Penal.

Aktualisht nga strukturat e Drejtorise Policise Qarkut Durres po punohet për kapjen e tij ne bashkëpunim te ngushtë edhe me policinë e rretheve të tjerë e Policinë Kufitare; dokumentimin e plote ligjor te ngjarjes mbi mundësinë e përfshirjes edhe te personave te tjere si bashkepunetore ne kryerjen e krimit.

16:24

Policia e Durrësit ka dhënë informacione lidhur me dy viktimat e gjetura të shkrumbuar brenda një makine në zonën e Kënetës, duke bërë me dije se dyshohet të jenë persona me precedentë penalë.

Siç konfirmohet nga uniformat blu viktimat janë ekzekutuar me armë zjarri në një banesë në të cilën janë gjetur gëzhoja dhe gjurmë gjaku dhe më tej për të fshehur provat, janë futur në një makinë të cilës i është vënë më pas zjarri.

Pasi janë marrë peng dhe ekzekutuar në një banesë të Shkozetit, trupat e Artur Kasalla dhe Shaban Babasit u transportuan me automjetin e tyre me targa AA 930 BJ, që i përkiste njërit prej viktimave. Ata u transportuan drejt një zone jo shumë të banuar të ish-Kënetës në periferi të Durrësit, pranë ish-vaskave të peshkut.

Njëri prej tyre u gjet në pjesën e bagazhit të mjetit dhe tjetri në sediljen e pasme të makinës së djegur.

Artur Babasi 28 vjeç punonte si banakier në një lokal dhe Shaban Babasi, punonte në një gurore. Ata ishin banorë të fshatit Kamberas, Durrës

Policia ka rënë në gjurmët e autorëve dhe ka shoqëruar dy persona të dyshuar, ndërsa vijon puna për kapjen e dy personave të tjerë. Drejtoria rajonale e policisë tha se identitetet e të dyshuarve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi.

Në banesën në Shkozet, që i përket njërit prej autorëve në kërkim nga policia, janë gjetur gjurmë gjaku dhe gëzhoja, prova që sipas grupit hetimor dëshmojnë se viktimat janë torturuar më parë dhe më pas ekzekutuar me plumb në kokë.

"Autorët e përfshirë, që dyshohet të jenë 4 persona, i kanë transportuar më pas drejt zonës së ish-Kënetës ku i kanë vënë zjarrin mjetit për të zhdukur provat e këtij krimi dhe trupat e Babasit e Kasallës", thanë burimet policore.

Veprimet e shpejta policore gjatë natës së kaluar dyshohet se nuk u kanë dhënë kohë autorëve të zhdukin gjurmët në banesën ku ka ndodhur krimi, ndërkohë që vijon puna për kapjen dhe arrestimin e tyre.

Në morgun e spitalit rajonal të Durrësit familjarë të viktimave kanë qëndruar në pritje për të tërhequr trupat e shkrumbuar dhe bërë shërbimet e fundit funerale.

21 shkurt 2014, 00:54 – Dy persona gjenden të djegur në një makinë

Dy persona janë gjetur të djegur në një makinë në Durrës mbrëmjen e së enjtes në zonën e Kënetës. Trupat e viktimave janë djegur tërësisht, duke e bërë të vështirë identifikimin e tyre.

Forcat e rendit dhe shërbimet zjarrfikëse kanë mbërritur në vendin e ngjarjes pasi u njoftuan me telefon nga banorë të zonës. Ata thanë se dy personat janë gjetur të djegur brenda një makinë të shkrumbuar nga zjarri. Makina ishte një automjet tip "Benz" me targë AA 930 BJ.

Mësohet se në momentin e mbërritjes së policisë, dy viktimat kanë qenë pa asnjë shenjë jete. Dyshohet se viktimat mund të jenë qëlluar dhe më pas i është vënë zjarri automjetit. Bindjen për këtë pistë hetimore e përforcon fakti se, një nga trupat u gjet në bagazhin e makinës, kurse tjetri në vendin e parë. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit