
Seanca plenare procedoi me shqyrtimin e raportit të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut “Për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit të Kuvendit nr.1/2013 për Inspektoren e Përgjithshme të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive”. Raporti u miratua nga mazhoranca me 77 vota pro.
Seanca u shoqërua me debate rreth shqyrtimit të raportit. Opozita përmes kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, z. Edi Paloka u shpreh se përfshirja në rend të ditës e shkarkimit të kryetares së ILDKP-së është bërë në kundërshtim me të gjitha rregulloret.
“Kjo është një procedurë që ka nisur me shkelje që në Komisionin e Ligjeve. Në shkresën e sjellë, kërkohet jo vetëm shkarkimi i Zana Xhukës, por kërkohet që të votohet edhe dekreti i atëhershëm i presidentit, që është dhe një emër tjetër (Shkëlqim Ganaj) që sot ju intereson ta kenë në krye të këtij institucioni.”- tha z. Paloka.
Ndërsa, Kryetari Grupit Parlamentar të PS-së z. Gramoz Ruci tha se në asnjë rast dekretet e presidentit, për emërime, shkarkime, për të cilat jep pëlqimin parlamenti, asnjëherë nuk kanë ndjekur rrugën program, kalendar, seancë, por hyjnë automatikisht dhe sipas rregullores.
Lidhur me këtë çështje foli dhe Kryetari i Kuvendit: "Duhet të keni parasysh se këtu vërtetë ka ndodhur një problem i madh, kur pikërisht në seancë ku do të votohej për dekretin e presidentit për ILDKP-në, ku neni 1 thuhet se, znj. Zana Xhuka dhe z. Shkëlqim Ganaj, është votuar për një kandidaturë dhe Kuvendi nuk është shprehur për kandidaturën tjetër dhe njëkohësisht kjo kandidaturë është propozuar në kundërshtim me ligjin dhe këtë ua kam thënë edhe kur kam qenë në koalicion dhe nuk kam votuar për këtë kandidaturë".
Meta ka mbledhur Konferencën e Kryetarëve e cila nuk gjeti konsensus dhe me 79 vota pro. Kuvendi votoi projektvendimin “Për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit të Kuvendit nr.1/2013 për Inspektoren e Përgjithshme të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ”, që parashikon a) Lirimin nga detyra të Inspektores të ILDKPKI të znj. Zana Xhuka dhe b) Votimin e dekretit të Presidentit të Republikës nr 7928, dt 16.1.2013 “ Për propozimin e Inspektorit të Përgjithshëm të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive”.
Në vijim, Kuvendi hodhi në votim dekreti nr 7928, dt 16.1.2013 që i propozon Kuvendit dy kandidaturat për postin e Inspektorit të Përgjithshëm të ILDKP-së, znj. Zana Xhuka, e cila u votua me 76 vota kundër, 1 abstenim, ndërsa z. Shkëlqim Ganaj u zgjodh në krye të ILDKP-së me 75 vota pro dhe 2 abstenim. /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





