Transmetuar më 20-02-2014, 22:22

Tiranës i rikthehet lulishtja pranë vilës qeveritare 30

Tiranës iu rikthye sot një hapësirë e re, tërësisht e shfrytëzueshme për qytetarët e saj. Me iniciativën e kryeministrit dhe në bashkëpunim edhe me institucionet përkatëse, pikërisht sot, në ditën e rrëzimit të bustit të diktatorët, -lulishtja pranë vilës qeveritare 30, – nuk është më “zonë e ndaluar” për kryeqytetin.

Rrugica të shtruara, stola, lojëra për fëmijë e ndriçim kontemporan, do të jenë perspektiva e kësaj lulishteje, e cila shënon simbolikisht edhe rënin e “murit” të fundit të Bllokut.

Për më tepër, Artan Lame dhe Artan Shkreli, në një prononcim për mediat, u shprehën:

Artan Lame: “Ashtu si në përrallat mesjetare, ku flitet për ishullin që nuk është, edhe kjo është  një lulishte që nuk ishte. Në kuptimin që të gjithë ne, qytetarët, kalonim në këtë zonë të Tiranës, kthenim maksimumi kokën këtej, shikonim që ishte një park i parrethuar, por nuk hynim. Pjesërisht në zona të caktuara ishte edhe i rrethuar, por asnjëherë nuk ka qenë pjesë e qytetit. Thënë të drejtën ishte një bujari dhe një punë e madhe edhe e vetë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare që bashkë me Gardën e Republikës përcaktuan një ndarje të zonës që mund t’i kthehej qytetit nga kjo lulishte, dhe të zonës që i duhet mbetur institucioneve të sigurisë, sepse janë vilat qeveritare këtu.

Që sot, kjo pjesë e madhe e kësaj lulishteje të qytetit i kthehet prapë qytetarëve. Ne bëmë goxha punë edhe për risistemimin e saj sepse në gjithë këto vite, ajo gati ishte kthyer në një lloj xhungle brenda qytetit dhe që sot ajo është  e hapur për të gjithë qytetarët.

Që nesër, edhe unë vetë me fëmijët e mi, do të jem prezent, për ta parë dhe ata dhe për të shkelur në një lulishte tjetër të këtij qyteti, që kaq pak zona të gjelbra i kanë mbetur. Nga ana tjetër, u desh edhe një punë e madhe për ta lidhur edhe me pjesë të tjera të parkut, sepse një pjesë e këtij parku ekzistonte.

Ajo që është çudi tjetër, ka të bëjë me faktin se kjo lulishte historikisht ka qenë  e hapur për qytetarët në vitet ‘50 kur është ndërtuar për herë të parë. Pastaj në atë periudhën më të zymtë të diktaturës, në vitet ‘70-80 u rrethua. Njerëzit kalonin dhe iknin me vrap sepse kjo ishte pjesë e Bllokut dhe kjo pjesë  e Bllokut mbijetoi çuditërisht edhe pasi u shemb Blloku, mbijetoi deri në vitin 2014, pra deri sot, kur po i rikthehet qytetit.

Sot është dhe kjo dita që unë do të kisha dëshirë të kujtoja rrëzimin e monumentit të diktatorit. Por po e kujtoj nga kjo lulishte se atje ku duhet të isha, 20 e ca vjet të shkuara kam qenë në grevën  e studentëve, nuk shkoj dot sot, se as më ka ftuar njeri dhe do të më shikonin me inat po të shkoja. Të paktën e kujtoj nga kjo lulishte  e re, nga ky mur i fundit i bllokut që ne po ia kthejmë qytetit.

Artan Shkreli: “Duket e çuditshme që u hap kjo pjesë e këtij kopshti të sw ashtuquajturës Vila 30, ose vila e Mehmet Shehut, siç njihet në gjuhën e zhargonit kryeqytetas. Vilë që nuk mori kurrë emrin e Ramiz Alisë, pavarësisht se ai jetoi mbas disa vitesh. Siç duket hija  e rëndë e ish kryeministrit shqiptar, i cili vdiq në rrethana shumë mistike dhe tragjike, e kishte bërë këtëkopsht që t’i shpëtonte deri diku, ndërhyrjeve me karakter rehabilitues.

Ishte një dëshirë  e kryeministrit që, pikërisht, për të kujtuar momentin e rënies e bustit të diktatorit, ta shoqërizonte në mënyrë simbolike, nga njëra anë me rënien e kësaj ndalese tek ky kopsht, të kësaj tabuje të fundit që kishte ngelur në kryeqytet nga Blloku i dikurshëm, por edhe në mënyrë jo simbolike, por funksionale, për t’ia dhënë qytetarëve, fëmijëve, grave, moshave të treta, këtë hapësirw, e cila në një farë mënyrë, më tepër u hap, u rehabilitua në pikëpamjen e aksesit.

Natyrisht, që këtu investimi është shumë i vogël, më tepër kishte një karakter pastrues, krasitës; heqja  e strukturave metalike; telave me gjemba, që ishin të panumërt në këtë sipërfaqe; mbulimi i shumë bunkerëve, këtu ishin 7 ose 8 bunkere, që kishin mbijetuar nga koha  e komunizmit dhe  e kishin dëmtuar sipërfaqen  e këtij parku. Por ra dhe ajo errësirë që e shoqëronte. Sa herë kaloje nga bulevardi, në sfond ishte një gjë e errët dhe shiheshin vetëm roje të armatosura.

Nuk ka pse në zemrën e Tiranës sot, ne të mbanim hapësira të tilla, të cilat të na kujtonin ankthshëm, një periudhë  e cila ka marrë fund.

Besoj që në periudhën në vijim, ky park i cili filloi rehabilitimin e tij do të ngrihet në një rang më të lartë, jo vetëm me futjen në punë të basenit ujor që është këtu, jo vetëm me stolat dhe rrugicat që janë shtruar, por do të vihet dhe ndriçim kontemporan. Ndoshta mund të futen dhe elemente të tjerë urbanë, siç janë lojërat për fëmijë, apo pika të tjera informacioni, rekreative, por natyrisht asnjë lloj ndërtimi sikurse, për fat të keq shpeshherë ka ndodhur në kryeqytetin tonë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit