Transmetuar më 20-02-2014, 22:15

Kryeministri Edi Rama priti sot në takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Evangelos Venizelos, i cili viziton Tiranën në vijim të turit Ballkanik në kuadër të Presidencës greke të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Në fokus të bisedës ishte perspektiva evropiane e Shqipërisë, për të cilën Kryeministri Rama u shpreh besimplotë për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në muajin qershor, gjatë Presidencës greke të Bashkimit Evropian.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë vlerësoi angazhimin e Qeverisë shqiptare dhe e siguroi Kryeministrin Rama se marrja e statusit të Shqipërisë gjatë Presidencës greke të BE-së është një prioritet kyç i kësaj presidence.

Venizelos i ofroi Kryeministrit Rama mbështetjen për bashkëpunim edhe nivel në teknik, me ekspertë të vendit të tij, për të përshpejtuar procesin e afrimit të Shqipërisë me BE-në.

Zyra e shtypit të z.Rama tha se z.Venizelos i është shprehur gatishmëria e Qeverisë shqiptare për t’i dhënë përmasa të reja bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në gjithë fushat, në kuadër të miqësisë e të fqinjësisë së mirë dhe të partneritetit strategjik. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit