
Kosova mbështetet te yjet e futbollit për të reklamuar imazhin e saj nëpër botë me rastin e 6 vjetorit të pavarësisë që u festua vetëm disa ditë më parë, citon Supersport.
Kështu, sipas mediave italiane, Lorik Cana ka marrë një ftesë nga Federata e Futbollit të Kosovës për të marrë pjesë në ndeshjen miqësore kundër Haitit që do të luhet në datën 5 mars.
Kapiteni i kombëtares së Shqipërisë nuk ka kthyer ende një përgjigje edhe pse kjo ftesë apo pjesëmarrja e mundshme në miqësore, nuk e largojnë aspak mesfushorin nga skuadra e De Biasit.
Lojtari i Lazios do të shërbente në këtë mënyrë si një reklamë për vitrinën e futbollit kosovar që vetëm disa javë më parë mori miratimin nga FIFA për të luajtur ndeshje miqësore.
Vetë Lorik Cana ka deklaruar personalisht disa herë se kontributi i tij zyrtar do të vazhdojë të jetë në mbështetje të kombëtares së Shqipërisë, çka do të thotë se angazhimi i tij me Kosovën do të jetë thjesht honorifik nëse ai e pranon ftesën e FFK-së.
Por inisiativa e institucioneve zyrtare në Kosovë për angazhimin e lojtarëve të njohur nuk mbyllet me kaq pasi Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka emëruar katër futbollistë si “ambasadorë të nderit” të Kosovës në botë.
Bëhet fjalë për Xherdan Shaqirin, Lorik Canën, Valon Behramin dhe Adnan Jasnuzajn. Kjo është një simbolikë qartësisht politike më shumë se sa efektive dhe nuk ka aspak lidhje me çështjen e aktivizimit të lojtarëve në fjalë me kombëtaren e Kosovës.
I fundit në radhën e tyre që është përfolur për një aktivizim të mundshëm është Adnan Januzaj, agjenti i të cilit e mohoi pak ditë më parë lajmin se ai i kishte thënë “Po” kombëtares së Kosovës.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





