
Tiranë, 20 shkurt 2014, NOA.al- Tiranës i është rikthyer lulishtja pranë vilës qeveritare 30. Përfaqësuesit e qeverisë Artan Lame dhe Artan Shkreli deklaruan se me iniciativën e kryeministrit dhe në bashkëpunim edhe me institucionet përkatëse, pikërisht sot, në ditën e rrëzimit të bustit të diktatorët, lulishtja pranë vilës qeveritare 30, nuk është më zonë e ndaluar për kryeqytetin.
Sipas tyre rrugica të shtruara, stola, lojëra për fëmijë e ndriçim kontemporan, do të jenë perspektiva e kësaj lulishteje, e cila shënon simbolikisht edhe rënin e “murit” të fundit të Bllokut.
Në fjalën e tij Lame tha se, “Ashtu si në përrallat mesjetare, ku flitet për ishullin që nuk është, edhe kjo është një lulishte që nuk ishte. Në kuptimin që të gjithë ne, qytetarët, kalonim në këtë zonë të Tiranës, kthenim maksimumi kokën këtej, shikonim që ishte një park i parrethuar, por nuk hynim. Pjesërisht në zona të caktuara ishte edhe i rrethuar, por asnjëherë nuk ka qenë pjesë e qytetit. Thënë të drejtën ishte një bujari dhe një punë e madhe edhe e vetë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare që bashkë me Gardën e Republikës përcaktuan një ndarje të zonës që mund t’i kthehej qytetit nga kjo lulishte, dhe të zonës që i duhet mbetur institucioneve të sigurisë, sepse janë vilat qeveritare këtu.
Që sot, kjo pjesë e madhe e kësaj lulishteje të qytetit i kthehet prapë qytetarëve”.
Nga ana e tij Artan Shkreli deklaroi se ishte një dëshirë e kryeministrit që, pikërisht, për të kujtuar momentin e rënies e bustit të diktatorit, ta shoqërizonte në mënyrë simbolike, nga njëra anë me rënien e kësaj ndalese tek ky kopsht, për t’ia dhënë qytetarëve këtë hapësirë.
Ai theksoi se në këtë lulishte investimi ishte shumë i vogël dhe më tepër kishte një karakter pastrues, krasitës me heqjen e strukturave metalike; telave me gjemba, mbulimi i shumë bunkerëve, që kishin mbijetuar nga koha e komunizmit dhe e kishin dëmtuar sipërfaqen e këtij parku.
Shkreli deklaroi se në periudhën në vijim, ky park i cili filloi rehabilitimin e tij do të ngrihet në një rang më të lartë, jo vetëm me futjen në punë të basenit ujor që ndodhet aty, jo vetëm me stolat dhe rrugicat që janë shtruar, por do të vihet dhe ndriçim bashkëkohor./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





