Transmetuar më 20-02-2014, 13:28

Tiranë, 20 shkurt 2014, NOA.al- (Përditësuar) Mazhoranca e majtë në vijim të seancës parlamentare ka miratuar shkarkimin e Zana Xhukës nga posti i kryeinspektores së Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, me 77 vota pro.

Në vijim në vendin e saj me 75 vota pro të mazhorancës Kuvendi miratoi kandidaturën e Shkëlqim Ganaj, si drejtuesin e ri të ILDKP.

Më herët gjatë seancës parlamentare ku pritej miratimi i kërkesës për shkarkimin e kryeinspektores së Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Zana Xhuka, reaguan demokratët duke thënë se procedura për shkarkimin e saj nisi me shkelje.

Ish-Kryeministri Sali Berisha, deklaroi se Edi Rama udhëhiqet nga urrejtja e tij për shkarkimin e Zana Xhukës.

Sipas tij Zana Xhuka po sakrifikohet për pallatin e Edi Ramës dhe Linda Bashës. Berisha theksoi se kurrë ndonjëherë një mazhorancë nuk mund të veprojë në mënyrë kaq flagrante në shkelje të interesave të vendit.

“Dëshmitarët e rremë ose janë të korruptuar fund e krye ose të manipuluar, atyre ne u tregojmë bërrylin cilidoqoftë. Ne do flasim. Ky nuk quhet Parlament, por quhet turp kombëtar”, tha Berisha.

Ndërkohë referuar protestës së sotme ai tha se Shqipëria po marshon drejt Tiranës, ndaj kërkoi që të largohet policia nga akset kryesore të kryeqytetit dhe të lejohen qytetarët në protestën e tyre.

Sakaq duke folur për mediat në ambientet e jashtme të Parlamentit, Berisha e cilësoi shkarkimin e Xhukës si shkeljen më të rëndë që nga momenti i parlamentit pluralist, duke shtuar se qeveria do të marrë në dorë çdo pushtet.

Ish-Kryeministri theksoi se shkarkimi i saj vjen pasi Zana Xhuka ka pasur kurajën që të ftojë Linda Bashën që të japë sqarime për pallatin 5 katësh.

Më herët kreu i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka tha se Komisioni parlamentar i Ligjeve nga komisioni që do të kontrollonte kushtetutshmërinë e ligjeve, është kthyer në komisionin për shkeljen e ligjeve.

Paloka tha se futja në rend dite e këtij akti antikushtetues është shumë e rëndë, duke kujtuar se është Konferenca e Kryetarëve ajo që përcakton datën e miratimit në Kuvend të kërkesës së shkarkimit.

“Është shkelur pikë për pikë rregullorja. Edhe në gjyqet e Enver Hoxhës i lejohej të pandehurit të mbronte veten. Me këtë akt nuk kërkohet thjesht shkarkimi i drejtueses së ILDKP, por kërkohet që të votohet dekreti i Presidentit të asaj kohe, dekreti i parë i Presidentit kur ishte kandidate zonja që është sot kryetare, me dikë tjetër që nuk u miratua atëherë, por që sot me sa duket iu duhet”, deklaroi Paloka.

Nga ana e tij kreu i grupit kuvendor socialist Gramoz Ruçi kërkoi që të respektohet rregullorja, duke ftuar opozitën që nëse ka dëshirë le të mblidhet Konferenca e Kryetarëve.

Ai theksoi se nuk synohet uzurpimi i institucionit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, por shtoi se nuk mund të mbyllen sytë para shkeljeve.

Ndërkohë në vijim të debateve dhe akuzave mes opozitës dhe mazhorancës, kryeparlamentari Ilir Meta, deklaroi se do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve. Por edhe në përfundim të kësaj mbledhje sërish nuk u arrit konsensus mes opozitës dhe mazhorancës për shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP. Në vijim falë votave të mazhorancës kërkesa për shkarkimin e Zana Xhukës u fut në rend dite.

Rama: Gati të hetohem

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në seancës parlamentare, deklaroi se u drejtohet qytetarëve dhe jo përfaqësuesve të opozitës.

Sipas tij është i vetmi rast që në historinë e integrimit europian, Parlamenti bëhet objekt i një progres raporti për shkelje, duke shtuar se ish-qeveria e bëri Kuvendin gazin e botës, ndërsa tha se ata që lanë pushtetin e lanë Shqipërinë rrëmujë.

“Fyeni inteligjencën e këtij populli kur thoni çohu se erdhi ora për të bërë atë që bëre për të shembur një regjim. Përgjigjen e keni marrë të plotë më 23 qershor dhe sa më shumë të vononi ta lexoni atë përgjigje, aq më të fortë do e merrni përgjigjen kur të vijë radha tjetër. Sot këtu ngritët një alibi sikur kjo që po ndodh është hakmarrje dhe nxirrni letra dhe i tundni, pa lexuar dhe pa ua lexuar njerëzve. Por ndër ata njerëz që janë marrë me politikë në këtë vend, mund të them me bindje se jam njeriu më i hetuar në Shqipëri. Keni ngritur 3 apo 4 komisione hetimore posaçërisht për personin tim, mbi bazë të atij instrumenti që ai që iu ka kequdhëhequr e ka marrë në shkollë e Partisë së Punës, ku ngri një shpifje, bëje shpifjen fakt dhe mbi atë shpifje ndërto një akuzë dhe pushkato, dëno dhe syrgjynos”, u shpreh Rama.

Sipas tij instrumenti i Partisë së Punës u trashëgua nga Partia Demokratike, dhe nga një karikaturë e gjallë e Enver Hoxhës.

Ndërkohë referuar kërkesës për shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP, ai tha se nëse zonja Zana Xhuka është kërcënuar edhe herë të tjera kur Partia Socialiste ishte në opozitë, ai ngriti pikëpyetje se pse nuk u kërkua hetimi sipas ligjit.

Në këtë linjë Kryeministri shtoi se, “Kjo nuk ka ndodhur sepse në atë letër unë i kam thënë shumë qartë se duhet të prisni se unë nuk jam subjekt i deklarimit. Për zonjën nuk kam asgjë, madje deri ditën e fundit kam qenë në bashkëpunim institucional, ka vetëm një problem që ia krijuat ju zonjës se ajo korrespodencë është e zonjës dhe jo e PD”.

Në vijim ai shtoi se është i gatshëm që ti nënshtrohet çdo hetimi, duke shprehur bindjen se nuk do të cenohet integriteti i tij, as sot dhe as kurrë./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit