Transmetuar më 20-02-2014, 11:43

Vlorë, 20 shkurt 2014, NOA.al- Policia e Kufirit dhe Migracionit në Vlorë në bashkëpunim me Guardia di Finanza kanë arritur që mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative të zbulojnë një bazë të fshehtë për trafikun e drogës.

Ky zbulim u bë gjatë ditës së djeshme në vendin e quajtur Hidrovori i Akërnisë dhe Dajlanit të Filipit, ku u zbulua një bazë e fshehtë e ndërtuar me hekur dhe dru me sipërfaqe 20 m të gjatë dhe 8 m të gjerë, me një largësi 700-800 m nga bregu i detit, e mbuluar me rërë dhe e kamufluar me pemë sipër saj, me katër dyer hekuri.

Nga ana e policisë siç raporton Noa.al, thuhet se kjo bazë detare u shërbente grupeve kriminale për të fshehur mjetet e lundrimit me të cilat organizoheshin trafiqe të paligjshme, lëndë narkotike dhe armë, nga Shqipëria për në Itali nëpërmjet detit.

Sakaq nga kontrolli në këtë bazë u gjetën dhe sekuestruan: Një gomone, rreth 9 metër e gjatë, e vendosur mbi një karel transport mbajtës; Një zetor i fuqishëm i cili shërbente për transportin e mjetit lundrues nga baza për në det; Gjenerator, transformator, pompa uji, pompa për fryrjen e tubolarëve të gomones etj.

Aktualisht pas zbulimin e kësaj baze policia në bashkëpunim me organin e Prokurorisë dhe agjenci të tjera ligjzbatuese kanë nisur hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve të cilët kanë organizuar këtë veprimtari kriminale./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit